Site icon Telegrafi

Marrëveshja dëmton Kosovën për dhjetëra miliona euro, Serbinë asnjë cent

Marrëveshja për sigurime kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e cila nga sot ka filluar të zbatohet, pritet të dëmtojë qytetarët e Kosovës për dhjetëra miliona euro.

Kjo pasi që çdo makinë e Kosovës që hynë në Serbi do të bëjë një pagesë vjetore prej 40 eurove, ndërsa makinat me targa serbe që hynë në Kosovë nuk obligohen të paguajnë asnjë cent.

Gjithashtu makinat me targa RKS do të paguajnë gjatë çdo hyrje në territorin e Serbisë një shumë prej 5 euro për tu pajisur me tabela shtesë me mbishkrimin “PROVA”.

Ndërsa ata që akoma mbajnë tabelat e vjetra me targa KS nuk janë të obliguar të paguajnë tabela shtesë.

Kosova mund të jetë shteti i vetëm në botë që vetëm për një territor ka tabela të veçanta.

Sipas të dhënave që posedon “KosovaPress”, në vit nga Serbia në Kosovë hyjnë rreth 300 mijë automjete me targa të Serbisë.

Nëse llogaritet që sasia e njëjtë me targa të Kosovës futet në Serbi atëherë Serbia do të përfitojë një shumë prej 12 milionë eurove në vit vetëm nga sigurimi i qytetarëve të Kosovës pa i llogaritur ata që me tabela RKS do të duhet çdo herë të paguajnë për tu pajisur me tabela provizore edhe nga 5 euro.

I pa kënaqur me këto të dhëna dhe me këtë veprim është shprehur edhe Rrahim Pacolli, udhëheqës i delegacionit kosovar në bisedimet Kosovë-Serbi në fushën e sigurimeve.

Pacolli tha për “KosovaPress”, se do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që nga shtatori edhe Kosova të vendos që edhe serbëve të u kthehen targat prapa pasi është marrëveshje reciproke, duke iu referuar marrëveshjes së fundit për lëvizje të lirë Kosovë-Serbi.

Ai po ashtu tha se ka kërkuar edhe nga Brukseli që të respektohet marrëveshja në përpikëri.

Megjithatë Pacolli nuk e di saktë se sa është vlera që qytetarët e Kosovës duhet të paguajnë për TPL-në që e kërkon pala serbe.

Ndryshe marrëveshja e arritur me 24 korrik filloi të zbatohet sot në orët e para të mëngjesit.

Sigurimi TPL plus për Serbi do të kushtojë 40 euro për një vit.

Sipas kësaj marrëveshje, automjetet me tabela RKS do të mund të udhëtojnë në Serbi, por vetëm duke i zëvendësuar ato me tabela Prova ose KS.

Kosova nuk është anëtare e Byrosë së Kartonit të Gjelbër të Evropës.

Dëmet që janë shkaktuar ndër vite nga automjetet me targa të Serbisë në Kosovë duhet të paguhen nga kompanitë e sigurimeve kosovare.

Sipas të dhënave të Fondit të Garancisë së Kosovës (FGK), mbi 20 milionë euro llogariten të jenë humbjet buxhetore për 10 vite nga mos pagesa e policës kufitare të automjeteve të Serbisë. /Telegrafi/

Exit mobile version