Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka raportuar sot në Komisionin për Legjislacion rreth marrëveshjes me Danimarkën për dhënien me qira të 300 qelive të burgut për shtetin danez.
Haxhiu bëri të ditur se kostoja vjetore për 300 të burgosur nga Danimarka do të jetë rreth 5 milionë euro.
“Diku 5 milionë euro është kostoja vjetore”, tha ajo.
Ministrja më tej tha se ndër arsyet pse Danimarka ka zgjedhur Kosovën është se kanë analizuar raportet ndërkombëtare dhe vendore rreth trajnimit të të burgosurve dhe Kosova në Ballkanin Perëndimor qëndron më së miri në këtë aspekt.
Ajo bëri të ditur edhe atë se si procedohet në rastet kur të burgosurit kryejnë dënimin.
“Gjashtë muaj më parë ne njoftohemi dhe përgatitemi për dërgimin në Danimarkë, dhe pastaj në vendin e origjinës”, tha ajo, raporton Telegrafi.
Ajo tha se në mandatin e saj të parë në kohën e Qeverisë Kurti 1, ka pasur ftesë nga ministri danez për të komunikuar këtë çështje.
“Pasi u rrëzua qeveria, s’kemi mbajtur asnjë takim më, për faktin e rrethanave”, tha ajo.
Haxhiu ka thënë gjithashtu se pas qeverisë Kurti 1, qeveria pasuese e drejtuar nga Avdullah Hoti, ka qenë e përfshirë në diskutimet për dhënien me qira të objekteve në strehim të 300 të burgosurve në shtetin e Danimarkës.
Porse, siç dihet marrëveshja nuk ka ndodhur, ndërsa Haxhiu tha se në mandatin e saj të tashëm, është njoftuar për të gjitha procedurat e vijuara dhe në fund marrëveshja është finalizuar duke plotësuar parimet e nevojshme nga të dyja shtetet.
“Pas përgatitjes së negociatave kemi ardhur të një letër – qellim që jemi pajtuar për fuqizim të bashkëpunimit me Danimarkën për shkak të rolit të Danimarkës në Kosovë dhe jemi dakorduar që për shkak se ka nevojë të ndihmojmë në këtë drejtim, përmes një dhënies në shfrytëzim të një qendreje, jemi pajtuar që t’ia ofrojmë qendrën në Gjilan”, tha Haxhiu.
Ministrja e Drejtësisë bëri të ditur se Kosova ka të drejtën të refuzojë ndonjë të burgosur kur konsiderohet se është i dënuar për ndonjë vepër penale që është më e ndjeshme dhe Kodi penal i Kosovës parasheh dënime maksimale.
Haxhiu më tej theksoi se drejtori i Qendrës do të jetë danez, po ashtu edhe stafi menaxhues, ndërkaq oficerët korrektues do të jenë të Kosovës.
Ndërkaq, lidhur me atë se a mund të jetë problem gjuha, ministrja Haxhiu tha se do t’i shohin mundësitë përmes rekrutimit të stafit që njohin gjuhën angleze ose ndonjë gjuhë tjetër, ose përmes përkthyesve.
Po ashtu gjatë raportimit në Kuvend, Haxhiu tha se të burgosurit që do të vijnë nga Danimarka për të vuajtur dënimin e tyre në burgun e Gjilanit nuk do të jenë shtetas danezë por shtetas të vendeve të treta. /Telegrafi/