Telegrafi

Marotta: Nuk kemi kontakte me Eriksenin

Drejtori i Interit, Beppe Marotta e ka konfirmuar se po kërkojnë një mesfushor dhe një lojtar krahu në janar, por mohoi se janë në kontakt me Christian Eriksen të Tottenham.

Shefi i Nerazzurrëve u pyet para ndeshjes në lidhje me interesin për yllin e Barcelonës, Arturo Vidal.

“Ne kemi kontakte të ndryshme me agjentë dhe klube për të rritur nivelin e cilësisë së një skuadre që tashmë po bën gjëra të jashtëzakonshme”.

“Ne nuk kemi arritur ende në një përfundim, pasi duam ta marrim atë me qetësi dhe të marrim vendime të duhura”.

“Unë preferoj të mos i përmend emrat, por jemi shumë aktivë në tregun e transferimeve. Kë do të marrim varet edhe nga ata që largohen”.

“Tani për tani, ne po kërkojmë një mesfushor dhe një anësor. Nëse lojtarët kërkojnë të largohen, ne do të përpiqemi t’i bëjmë ata të lumtur, por deri më tani nuk kemi marrë ndonjë presion të tillë nga lojtarët tanë”.

Ka raportime të forta nga Danimarka, Anglia dhe Italia për një marrëveshje me vlerë 20 milion euro për Christian Eriksen të Tottenham Hotspur, por Marotta hedh poshtë çdo spekulim.

“Interi shpesh është i lidhur me lojtar të një cilësie të shkëlqyeshme, por ne nuk kemi pasur asnjë kontakt me Tottenhamin. Eriksen është një lojtar i talentuar, nuk kam nevojë t’ju them këtë, dhe do të jetë i lirë në qershor 2020”.

“Unë mendoj se shumë klube janë të interesuar, pasi është një lojtar interesant, por unë nuk do t’ju them se ne jemi në negociata me klubin ose agjentin e tij”, ka thënë Marotta për Sky Sport Italia. /Telegrafi/