Telegrafi

Marko Boçari dhe Lleshi i Zi: Kush është heroi?

Marko Boçari dhe Lleshi i Zi

Nga: Daut Dauti

Videoja e mëposhtme titullohet “Shqiptari që vrau Marko Boçarin”. Fjala është për Lleshin e Zi. Edhe pse titulli paralajmëron që ka të bëjë me Lleshin e Zi, për të, në tërë këtë emision janë dhënë vetëm dy fjali. Emisioni i tëri flet për Marko Boçarin, të cilit i referohet me epitetin hero. Por, pse është hero Marko Boçari e nuk është Lleshi i Zi?

Në shumicën e literaturës, Boçari cilësohet i tillë kurse Lleshi i Zi injorohet ose për të flitet si për një vrasës që ka faj. Duhet të jetë e kundërta. Boçari luftoi për kauzën greke kurse Lleshi i Zi kundër formimit të shtetit grek.

Më tutje, ky emision vrasjen e Boçarit e cilëson si “vrasje pabesie”. Pse vrasje pabesie kur Boçari ishte sulmuesi i kampit të forcave shqiptare nën udhëheqjen e Mustafë Pashë Bushatit? Në këtë rast, mirditasit u mbrojtën e nuk ishin sulmuesit. Madje, ata, sikur edhe luftëtarët tjerë shqiptarë, u befasuan në rrëmujën e asaj nate kur i dëgjuan sulmuesit suliotë që flitnin shqip mes veti. Prandaj, një kohë u hutuan, nuk dinin se si të vepronin dhe i pyesnin: “Shqiptarë jeni, a? Pse po na sulmoni pra”?

Shqiptarëve nuk ua merrte mendja që shqiptarët luftojnë në anën e grekëve. Por, në realitet, lufta për pavarësinë e Greqisë ka qenë Luftë Civile Shqiptare. /Telegrafi/

Lexo po ashtu “Lufta civile shqiptare”