Nga: Ndue Dedaj
Nuk do ta kishim besuar atë histori, sa njerëzore, aq dhe misionare e perandorake, nëse nuk do të na e kishte përshkruar me imtësi argjipeshkvi i Shkup-Prizrenit, me qendër në Prizren, italiani Dario Buçareli – njëherësh protagonist i ngjarjes. Përkundrazi do të na ishte dukur si një mit, edhe pse Marie Kaçinari këndohej nga populli si heroinë në Gjakovë etj.
Ipeshkvi latin në këtë rast nuk është vetëm autori i veprës, ku ndërthuret kjo histori, por dhe personazh kryesor, shpëtimtar i saj, gati të sakrifikohet për atë grua, që për të është veçse një besimtare e krishterë, bërë e tillë me vullnetin e saj, pasi më parë kishte qenë e besimit mysliman. Është ky fakt që do të kishte jehonë të madhe, që do të ngrinte furtunën në Pashallëkun e Prizrenit, pasi shkonte në të kundërt të konvertimit masiv të shqiptarëve, nga të krishterë në myslimanë.
Maria e kishte prishur “rregullin” dhe ky ishte problemi. Ajo kurrë nuk e kishte menduar se me atë që po bënte do të merrte vëmendjen e një perandorie të tërë, duke u përfshirë në dramën e saj: ipeshkvij, pashallarë, konsuj evropianë, diplomatë austriakë të kohës dhe vetë hierarkia e lartë e Stambollit. Vajza shkodrane, që në fëmijëri mund kishte pasur emrin e pagëzimit Fatime, Mukades apo Hatixhe, e kthyer në e krishterë në kishë, ishte njohur me mirditorin Preng Kaçinari dhe ishte martuar me të.
Po çfarë kishte ndodhur?
Dario Buçareli e nis rrëfimin duke na thënë se në fshatin Kramovik, famullia e Gjakovës, distrikti i Prizrenit, prej kohësh banonte Preng Kaçinari i besimit katolik, vendas, me origjinë nga Mirdita, zotërues i një numri të madh kafshësh të trasha, i një punishteje bakri dhe një punishteje armësh dhe që mund të merret si i pasur i një niveli të mirë …
Ipeshkvi e sheh të arsyeshme të thotë diçka dhe për Mirditën, “një popull që banon në malet me këtë emër, që përbëhet nga rreth 1800 shtëpi, të gjitha katolike, e që ndahet në pesë bajraqe: Oroshi (ku qendron Kapidan Pasha Bid Doda), Spaçi, Kuzhneni, Dibrri dhe Fani”, duke vijuar me odisenë e çuditshme të gruas, që rrallë mund t’i gjendet shoqja: “Rreth dy vite më parë, Prenga jetonte në paqe me të shoqen, me emrin Marie, në një martesë të shenjtë, në familjen e tij …”!
Mirëpo, diçka e rëndë ndodh.
Më 26 gusht 1866, shtëpia e tij rrethohet nga qindra vetë të armatosur, të besimit mysliman, të prirë nga bajraktarët e Cërmjanit (Gjakovë), Sverkës (Pejë) dhe të Polluzhës (Prizren), një ushtri e tërë që kishte për komandant të parë njëfarë Hiqmet Hoxha i cili i përkiste xhandarmërisë. Mund të duket e pabesueshme se si ngrihet një batalion kundër një gruaja, një familjeje, për ta zhbirë atë, vetëm për “sakrilegjin” e kthimit të saj nga “turkinë” në e krishterë, çka e mbronte me jetën e saj.
Rrëfimtari ynë i përkorë, z. Buçareli, na tregon se sulmuesit “pasi përdorën çdo dhunë, ndaj të gjithë atyre që gjetën aty, thyen dyert e banesës së Prengës duke krijuar rrëmujë e pështjellim, duke kërkuar në çdo vend të fshehtë të shtëpisë e duke marrë armë të ndryshme etj., si dhe i keqtrajtuan të gjitha gratë, duke i rrahur e shtyrë ato, por nuk i përdhunuan, sepse e dinë nga përvoja se më besimtarët katolikë nuk do t’ia kishin dalë pa i vrarë të gjithë familjen ose pa mbetur ata vetë të masakruar”. Mbasi grabitën gjithë çfarë deshën, morën peng të lidhur burrat dhe gratë e shtëpisë, ku rrugës dëgjoheshin qindra të shtime pushkësh në shenjë gëzimi për atë që kishin bërë.
Pasi i çuan ashtu deri në njëfarë vendi, të sigurt se njerëzit e asaj familje të grabitur nuk kishin armë dhe nuk i rrezikonin, i liruan të gjithë pengjet, përveç Maries, të cilën e morën në pyetje, nëse ajo ishte e krishterë apo myslimane? Është një pyetje që ia kishin bërë dhe më parë, në shtëpinë e saj, e do t’ia bënin në zyrat e qeveritarit të Prizrenit, në këshillin e Pashallëkut, në gjyq e deri në Stambollin sulltanor, ku ajo do të jepte veçse një përgjigje: “Jam e krishterë”. Kjo tashmë ishte kthyer në diçka ekzistenciale për të dhe familjen e saj, të rrosh apo të mos rrosh?
Ndërsa familja e saj kishin deklaruar: “Ne, kur e kemi marrë nuse për ta sjellë në shtëpinë tonë, e dinim se ajo ishte e krishterë. Vumë kurorë në kishë shenjtërisht, tamam ashtu si e kërkon zakoni ynë, çka mund ta dëshmojnë si katolikët, ashtu dhe myslimanët që ishin të pranishëm në dasëm. Maria u quajt gjithmonë me këtë emër, si në shtëpinë tonë, ashtu dhe nga të gjithë fqinjët. Ajo thirrej kështu nga katolikët dhe myslimanët”. Para se të shtegtojmë më tej nëpër faqet e librit të Buçarelit, me fatin e Maries së pathyeshme e të pakthyeshme, lë të na lejohet të themi ndonjë opinion tonin.
Së pari, kur lexojmë tekste të tilla autentike pa filtra, nuk na duken dhe aq rozë në të kaluarën marrëdhëniet ndërfetare mes banorëve të trevave me popullatë të “përzier” sa u përket besimeve. Por, njëherësh, na duhet të themi se nëse marrëdhëniet njerëzore mes katolikëve dhe myslimanëve ishin normale, përderisa natyrshëm kishte dhe martesa mes tyre, ndryshon puna kur në to ndërhynte me propagandë me dhunë e shtetit turk, apo ai serb, me politikat e tyre fetare përçarëse. Historia dramatike e Maries është dëshmia e kësaj ndërhyrje brutale të shtetit në jetën e një familje të thjeshtë, për çështje të besimit. Fundja, nuk ishte diçka që kishte ndodhur vetëm njëherë.
Njëlloj si Prenga në Gjakovë, edhe princi i Mirditës Bib Doda ishte martuar me një grua të besimit mysliman, Hide Ajazin nga Lura, që ishte kthyer dhe ajo në katolike duke u quajtur Margjelë, ku kjo “turkinë” sojnike do të ishte princeshë e Mirditës. Po ashtu, burra të fesë islame martoheshin me gra të krishtera, edhe në vitet ’50 të shekullit të kaluar, ku mësuesi Niman Zalli në Tropojë martohet me Mrinë katolike e cila më pas do të bëhej myslimane duke marrë emrin Adile, fakt që e mësojmë nga një shkrim i poetit të njohur Skënder Buçpapaj.
Së dyti, për ta intriguar lexuesin në këtë histori, ende pa i shkuar asaj në fund, nëse Perandoria Osmane dhe ajo Austro-Hungareze, njëra orientale e tjetra evropiane, mund të mos merreshin vesh për gjera madhore mes tyre, do të binin dakord për fatin e një gruaje të zakonshme që për të parën ishte bërë problematike për shkak të besimit të saj, çka për të dytën ishte thjeshtë një e drejtë e saj e ligjshme dhe aspak një problem për shtetin.
“Marien e futën si të burgosur në kullën Hiqmet Hoxhës në Cërmjan dhe aty e mbajtën nën një mbikëqyrje të rreptë. Ky Hiqmeti dhe shokët e tij nuk lanë mjet dhe presion as kërcënim që të mund të arrinin qëllimet e tyre … të kënaqnin epshet, që ajo të thoshte se ishte myslimane”. Ose, pasi ta mundonin e ta lodhnin, nga keqtrajtimet, ajo e dëshpëruar të mohonte besimin e Krishtit dhe ta shpallte veten se ishte myslimane. Por, asgjë nuk ia vlejti, as kërcënimet dhe as premtimet, pse ajo u forcua nga hiri i Zotit”.
Ajo kishte vetëm një fjalë e kurrë dy. Si, ende nuk doni ta merrni vesh? Jam e krishterë dhe dua të jem e tillë. Më mbani mbyllur brenda kësaj kulle sa të doni, sa të jem gjallë, unë prapë e krishterë do të mbetëm. Dhe, sikur të më bëni copë e grimë, dhe sikur të më ofroni gjithë arin e botës, unë nuk do ta braktis besimin tim. Heroina jonë mendonte gjithçka në atë ngujim absurd, edhe çnderimin, edhe vrasjen. Sa herë lëviznin shulat e derës, ajo mendonte se erdhi çasti i zi. Por, as lëkundja më e vogël në psikikën e saj. Ndërkohë, mendonte se duhej bërë përpjekje për të ikur prej andej, sado që dukej krejt e pamundur që një grua e mbyllur në një qeli, në katin e tretë të kullës, të mund ta realizonte atë.
Nëse ata do ta shkonin sadopak ndërmend diçka të tillë, do ta kishin lidhur këmbësh e duarsh, siç ndodh ngaherë më të burgosurit e rrezikshëm. Një ditë, ndër ato mendime drithëruese, mes dritës së dobët të qelisë ku gjendej, dallon sikur po dilte një samar me litar sipër si zakonisht. Ajo e merr dhe e afron pranë dritës dhe, pasi zgjidh litarin, mendon që të realizojë uljen, por kur e mati, kuptoi se ishte vetëm sa gjysma e lartësisë. Megjithatë, e lidhi litarin për një dërrasë dhe u kap pas tij duke rrëshqitur poshtë murit të kullës, pastaj u lëshua e ra përtokë. Edhe pse pësoi tronditje nga rënia, edhe pse duart i ishin bërë ngjyrë vishnje dhe po i nxirrnin gjak, ajo u ngrit sikur të mos kishte ndodhur asgjë dhe u nis të largohej mes lartësive, gropave e skutave.
Pasi u end në këtë mënyrë, udhë e pa udhë për disa ditë, më në fund, me 2 shtator 1866, mundi të mbërrinte tek argjipeshkvi i Shkupit, që banonte në Prizren, të cilit i kërkoi ndihmë që ta paraqiste rastin e saj tek autoritetet lokale. Tridhjetë vjet më vonë, një vajzë nga Kryezezi (Rubiku) i Mirditës, Lula, duke u ndjerë krejtësisht e pambrojtur nga zakoni i vendit, ndonëse pa bërë asnjë mëkat, do të merrte udhën për në Kallmet, e shoqëruar nga dy gra të moshuara, për t’u strehuar atje në një shtëpi bujare nën kujdesin e ipeshkvit të Lezhës, edhe kjo një histori e sjellë nga një misionar i huaj, At Fabian Barcata, në romani me titullin “Lule”. Sa i përket Maries së Gjakovës, pati dhe ndonjë nënzë sikur ajo nuk do të kishte mundur kurrsesi të arratisej nga ajo kullë fortesë, por kishte qenë në mes xhelozia e gruas së Hiqmet Pashës.
Lexuesi e kërkon vazhdimin e tregimit, ndaj dhe ne po vijojmë ta përmbledhim atë, gjithnjë sipas Buçarelit, i cili shkruan se kishte mbetur i tronditur dhe i skandalizuar, kur Maria i doli përpara, duke e ditur se ajo ishte në burg e ruhej me shumë kujdes. “Mirëpo, Provania hyjnore”, vijon ai, “nuk i lë pa ndihmë ata që i mbështetën asaj dhe sikurse Pjetri u lirua nga duart e Herodit dhe nga dëshirat kriminale të plebenjve judeas, paçka se me roje dhe i lidhur me dy palë zinxhirë, kështu deshi Zoti që ta lironte Marinë tonë”.
Mund të mendohet se tashmë do të merrnin fund vuajtjet dhe mundimet e saj, se do të zgjidhej “nyja gordiane” e kësaj heroine që nuk e donte veten të tillë, por jo, do të niste një tjetër kalvar për të që do të zgjaste një vit. Japin e marrin qeveritarët e Prizrenit, vetë Nazif Pashai që kishte dhe funksionet e gjykatësit, Mudiri, këshilli qeverisës, por nuk lëshojnë pe asnjëri; ata nuk mund ta pranojnë sfidën e një gruaje të shndërruar në gjiaure (kaurre) që kishte guxuar të dilte kundër vullnetit dhe besimit zyrtar të Perandorisë.
Zyrtarët dyshojnë se Maria ishte bërë katolike me shtrëngim e dhunë, edhe pse ajo ua pohon sa herë e thërrasin se është bërë e krishterë me vullnetin e saj. Ata janë gati ta sakrifikojnë atë grua, vetëm që ky “precedent” të zhduket njëherë e përgjithmonë, por nuk e bëjnë dot këtë fli pa lejen e Argjipeshkvit. I bëjnë presion dhe atij që ta dorëzojë, por asgjë nuk e thyen kryetarin e kishës. Ai iu drejtohet atyre se ju e dini se ajo grua ndodhët në një shtëpi të krishterë në Prizren, “në duart e qeverisë dhe të autoriteteve kishtare”, kështu që nuk mund të ma kërkoni mua; nëse ajo ka thyer ligjin, ju vetë mund të veproni ndaj saj pa lejen time.
Por, ajo nuk ka thyer asnjë ligj dhe është në të drejtën e saj të zgjedhë besimin që dëshiron. Ky ishte qëndrimi i prerë, kushedi sa herë i përsëritur i Argjipeshkvit para njerëzve të qeverisë. Propozohet që familja të rikthehet dhe të banojë në Mirditën atërore, me kusht që të mos e kalojnë më Urën e Vezirit për në Kosovë, por as kjo nuk i kënaq. Atëherë Marien e pashpresë e nisin për në kryeqytetin perandorak të shoqëruar me roje, që ta zgjidhnin të mëdhenjtë çështjen e saj. Asgjë më shumë nuk do të bëhej dhe nëse ajo do të kishte qenë një komplotuese kundër Sulltanit, për atje do ta nisnin dhe në një rast të atillë.
Dhe, ja, vjen çasti “që Marien e nxorën nga dhoma ku e kishin mbyllur dhe me një skuadër pushkatarësh e katërmbëdhjetë policë në kuaj, e shumë të tjerë në këmbë, që qëndronin në gatishmëri, por fshehurazi të përgatitur përpara se të thirrej argjipeshkvi, i dhanë të shtyrën kalit mbi të cilin që vënë gruaja e u nisën me të shpejtë drejt kryeqytetit” (f. 65.). Kjo eskortë policore ishin dhe “krushqit” e saj në këtë shtegtim drejt Stambollit. Buçareli e ironizon kësisoj:
“Një Stefen në Angli, një Kossut në Austri, një Prim në Spanjë, një Lodron Rollin dhe një Orsini në Francë, një Mazzini në Itali nuk do të kapeshin, ruheshin e mbikëqyreshin kështu, siç ndodhi me Marinë … po mjerë po re në duart e të poshtrit”. Këtu ndërpritet historia e saj, për t’u përmbyllur pas afro një viti me përfundim të lumtur, ku Maria në gusht të vitit 1867 e shoqëruar nga xhaxhai i burrit të saj dhe një person tjetër niset nga Stambolli drejt Durrësit, pastaj Tivarit, për të mbërritur në rrugë tokësore në Shkodër, e prej andej me gjasë në Mirditë, ku do të jetonte në paqe e dashuri me të shoqin.
Ajo gjatë gjithë atij udhëtimi të gjatë ishte nën kujdesin e konsullit të nderit të ambasadës austriake, murgeshave të dashurisë dhe vetë ambasadës perandorake. Edhe pse në tekst kuptohet mes rreshtash, nuk ka dyshim që përcaktues në kthesën ndaj Maries është qëndrimi i diplomacisë së Perandorisë Austro-Hungareze, që kishte të drejtën e protektoratit të kultit mbi popullsinë e krishterë të veriut të Shqipërisë, ku përfshihej dhe Mirdita. Kjo vërehet nga përkujdesja në çastin e nisjes për në Stamboll të Maries deri te shoqërimi i fundit për në shtëpinë e saj nga një roje e konsullatës austriake. Thënë ndryshe, aspak me fjalë të mëdha, kjo grua e thjeshtë hyri mes dy perandorive më të fuqishme të kohës.
Në fund të rrëfimit, i shoqi i Maries na del me emrin Marka Llesh Kaçinari, teksa në një shënim shpjegues edhe Maria del me emrin Mrikë, ku mundet që për arsye sigurie ua kishin ndërruar identitetin dhe pasaportën. Gjithsesi, rasti “Maria” është vetëm një linjë e librit, nëse mund të shprehemi kështu, si një “bosht”, por libri në vetvete është një kronikë besnike e një realiteti kontradiktor, ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit nga 26 gushti 1866 deri më 6 mars l868. Dukuri thelbësore ishte sundimi me grusht të hekurt i pashallarëve të përlyer rëndshëm në vrasje, dhunime, reprezalje mbi popullatën, përfitime të paligjshme, çka shpjegon dhe jetëgjatësinë e asaj perandorie në popujt nën sundim.
Vepra e Buçarelit nuk është një triler letrar, madje gjëja më e paktë që mund t’i shkonte ndërmend në atë situatë ipeshkvit të mirënjohur ishte letërsia. Por ,ai nuk mundte të rrijë pa ua rrëfyer lexuesve, të cilëve iu drejtohet herë pas here, si dhe eprorëve të tij në Vatikan, përmes një relacioni sinoptik të situatës në të cilën gjendej Gjakova, Peja e Prizreni në çerekun e fundit të shekullit XIX. Në këtë degradim të madh social-politik, historia e Maries përben një roman më vete.
Për veprën e tij, që sot e kemi në dorë, duhet më iu qenë fort falënderues atyre që na e mundësuan këtë histori ne lexuesve të sotëm, pasi nuk është aspak e lehtë të heqësh pluhurat e njëqind e pesëdhjetë vjetëve nga arkivat e të zbulosh perla të tilla, që në dramaticitetin e tyre vlejnë aq shumë. “Relacion sinoptik” i Buçarelit do të ishte një dorëshkrim i “vdekur” në Vatikan, nëse nuk do të ishin tre studiues që do ta bënin libër për ne, Dom Gjergj Gashi (i ndjerë), Anton Nikë Berisha dhe Mark Palnikaj, i cili me përkushtim të veçantë e përgatiti dhe botoi më 2023, ashtu si plot relacione dhe dokumente të tjetra autentike të marra prej tij, prej dhjetë vjetësh, drejtpërdrejt nga arkivat e Selisë së Shenjtë.