Site icon Telegrafi

Marco Asensio me dy gola i shkakton humbjen e tretë radhazi Chelseat

Chelsea ka pësuar humbje me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj Aston Villas në kuadër të javës së 26-të në elitën e futbollit anglez.

Të parët që kaluan në avantazh ishin mysafirët të cilët realizuan për 1-0 në minutën e nëntë përmes Enzo Fernandez i cili u asistua nga Pedro Neto.

Në minutën e 19-të Aston Villa pati një rast ideal për të barazuar shifrat, por gjuajtjen e Ollie Watkins e ndali me shumë mund portieri i Chelseat.

Ishte pikërisht Watkins i cili e testoi Jorgensen në minutën e 29-të sërish, por edhe kësaj radhe portieri mysafir bëri një super pritje për t’ia mohuar golin.

Chelsea pati mundësinë për ta rikthyer avantazhin në minutën e 38-të por Emiliano Martinez bëri një pritje të bukur duke mos i lejuar Christopher Nkunkut të realizojë.

Në pjesën e dytë Villa ia doli më në fund të barazojë rezultatin përmes Marco Asensios (57’) i cili realizoi për 1-1 në portën e boshatisur pas asistimit nga Marcus Rashford.

Ishte pikërisht spanjolli Asensio i cili në minutën e 89-të shënoi sërish për 2-1 pas një gabimi fatal nga portieri Jorgensen, për t’i dhënë Villas pikët e plota.

Pas javës së 26-të Chelsea shkon në kuotën e 43 pikëve dhe momentalisht mban vendin e gjashtë në renditje ndërsa Aston Villa renditet e shtata me 42 sosh./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

 

Exit mobile version