Claudio Marchisio ka thënë që Juventusi ka paguar shumë për të marrë italianin Federico Chiesa nga Fiorentina, pasi sipas tij lojtari nuk vlen aq sa është paguar.
23-vjeçari bëri transferimin e tij në ditën e fundit afatit kalimtar për 10 milionë euro të paguara për huazim, me detyrim blerje për 40 milionë euro plus bonuse.
Por, kjo shifër e paguar dhe kjo marrëveshje është kritikuar nga legjenda e Juventusit, Marchisio, i cili mendon se Chiesa nuk vlen aq.
“Ai është një talent i vërtetë, por ka shumë presion mbi të krijuar nga tregu i transferimeve”, ka thënë fillimisht Marchisio për La Gazzetta dello Sport.
“Nuk është e drejtë që dikush si ai, i cili ishte duke luftuar rënien nga forma në Firence, duhet të kushtojë 50-60 milionë euro”.
“Pastaj ai arrin në një klub si Juve dhe duhet të dëshmohet menjëherë: me shifra tjera transferimi, do të ishte më lehtë për një lojtar të ri në atë situatë”.
“Ai duhet të gjejë pozicionin e duhur në fushë, por sipas mendimit tim, ai do të shpërthejë dhe do të bëhet një yll”, përfundoi ish-ylli i Juventusit. /Telegrafi/