Site icon Telegrafi

Maqedonia po merr investitorët kosovar

Përmirësimet i klimës së të bërit biznes në Kosovë kanë mbetur të thëna vetëm me fjalë. Kosova mbetet larg vendeve të rajonit, mbase është vendi më i pa favorshëm për të bërë biznes. Investitorët vendorë që aktualisht ushtrojnë veprimtarinë e tyre këtu, nuk do të investonin përsëri në Kosovë, po me të njëjtat rrethana që kanë kaluar gjatë investimit të tyre, të paktën kështu ka treguar drejtori Ekzekutiv i fabrikës së barnave, Trepharm, Mërgim Prishtina të hënën në emisionin “Ekonomia me Erëzën” në Klan Kosova. Ai gjithashtu shtoi se janë duke shqyrtuar Maqedoninë, përkatësisht Tetovën si mundësi për zhvillimin e fazës së dytë të investimeve.

“Tanimë e një kohë kemi bërë planifikimet për të zhvilluar fazën e dytë të investimeve në fabrikë, investim ky që kap shumën prej 5 milionë euro dhe 100 të punësuar. Duke parë kushtet e Kosovës si dhe problemet me të cilat jemi ballafaquar gjatë operimit tanimë 4 vjeçar, ku vetëm për leje e licenca kemi harxhuar rreth 7 muaj, kemi vendosur që të konsiderojmë edhe rajonin, përkatësisht ofertën e Maqedonisë. Atje na është ofruar një nivel tatimor prej 0% për të gjitha llojet e tatimeve duke përfshirë edhe tatimin në lëndë të parë e në makineri, lirim nga pagesat e taksave komunale si dhe taksave për ndërtim si dhe më e veçanta subvencion në koston e ndërtimit deri në 500 mijë euro”, tha Prishtina.

Probleme me klimën e të bërit biznes në Kosovë nuk është se ka pasur vetëm Trepharmi, nëpër telashe ka kaluar edhe telefonia Mobile IPKO, e cila edhe më tej konsideron se sundimi i ligjit mbetet një ndër telashet më të mëdha që ndodhën në Kosovë.

Alban Kastarti, përfaqësues nga IPKO, ndër të tjera tha se kjo kompani që nga viti 2007 e deri më tani ka investuar në Kosovë shumën prej 260 milion euro dhe se në plan kanë edhe disa miliona të tjerë, mirëpo si rezultat i procedurave byrokratike të institucioneve shtetërore, ky plan investiv ka ngecur.

Në anën tjetër, zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në debat u zotua se tashmë Ministria e Financave është duke e përgatitur paketën fiskale dhe se menjëherë do të fillojnë me masa për ofrimin e kushteve me të mira për të bërë biznes, me c’rast, rastet e investitorëve kosovar si ky i Trepharm nuk do të lejohen të largohen dhe se do të gjendet zgjidhje e përbashkët.

“Çështja e parë që po përgatitet është për t’u parë mundësitë që të ulet pragu i TVSH-së dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt, ku pragu që është prej 50 mijë euro për këto kompani të vogla do të jetë 30 mijë euro. Çështja e dytë është se po përgatitet UA për arka fiskale, po ashtu përshkallëzimi i tatimeve ku ka gjasa që të ketë një ligj të ri, ku brenda 6 muajve ky ligj do të hyjë ne fuqi, ndërsa sa i takon Trepharmit në bashkëpunim do të gjejmë një zgjidhje”, deklaroi ai.

Ndërsa, përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Xhemajl Sylaj, tha se në bazë të Strategjisë 2013 – 2017, MTI ka bërë ndarjen e sektorëve që do të përkrahë, gjë që do të ndikojë në mënyrë pozitive tek të gjithë prodhuesit vendor dhe të gjithë investitorët e huaj.

Së fundmi kushtet e volitshme të Maqedonisë i ka shfrytëzuar edhe kompania ETC, pronë e Ramiz Kelmendit, deputet i PDK-së, duke bërë një investim prej 3 milion Euro në zonën e lirë industriale të Shtipit. /Telegrafi/

Exit mobile version