Site icon Telegrafi

Maqedonia pa bujq të rinj (Video)

Të dhëna shqetësuese për fermerët e rinj. Shteti po mundohet që ta përmirësojë gjendjen, por edhe më tej numri i tokave bujqësore të papërpunuara po rritet, kurse fshatrat po zbrazen. Nga Ministria e Bujqësisë, thonë se do t’i rrisin mjetet e pakthyeshme që i marrin bujqit e rinj.

-Jemi duke bërë ç’mos për t’i mbajtur të rinjtë këtu, por kjo nuk është aspak e lehtë dhe e thjeshtë. Është lëkundur besimi tek institucionet. E rrisim mbështetjen me grante për buqit e rinj, e cila në thirrjen e ardhshme do të jetë 20.000 euro. Njëkohësisht i heqim rrethanat rënduese që ekzistonin”, theksoi Ljupço Nikollovski ministër i Bujqësisë

Me rastin e “Ditës së fermerëve”, njeriu i parë i kompanisë BiMilk, e cila e blen pjesën më të madhe të qumështit të papërpunuar, thotë se ka fermerë të rinj, por porosit se numri i tyre duhet të rritet.

-Mua më vjen mirë që ende ka njerëz të cilët duan të përballen me këtë sfidë, të zgjohen në orën 4 të mëngjesit dhe të mos heqin dorë. Ta mos kërkojnë ardhmërinë e tyre si taksistë në Gjermani, por të mbesin këtu në vend dhe të prodhojnë. Këtu ta kërkojnë fatin dhe ardhmërinë e tyre”, Gjorgji Petrushev drejtor Gjeneral i Qumështores Sha Manastir

Koncepti “fermë familjare” është gjithnjë e më i rrallë. Gjithnjë e më shumë bujq po dalin në pension pa pasardhës. Të dhënat statistikore flasin se 12% e BPV-së janë për bujqësinë, 180 mijë familje ekzistojnë nga kjo veprimtari, kurse 45% e popullatës jeton në zona rurale.

-Të dhënat statistikore tregojnë se gjatë 20 viteve të kaluara sipërfaqet bujqësore prej 1.3 milionë hektarësh është ulur në 1.1 milionë hektarë. Toka e punueshme nga 600.000 është reduktuar në 500.000 hektarë. Ka ulje edhe të fondit për blegtori veçanërisht në kultivimin e deleve, ku pas 20 viteve nga 2 milionë dele, kanë mbetur vetëm 800.000. Janë reduktuar edhe të mbjellat e vreshtave dhe pemëve.

Nuk ka të dhëna zyrtare se sa është kufiri mesatar i moshës së një bujku në Maqedoni. Por, edhe institucionet kompetente, edhe organizatat civile pajtohen se për ta tejkaluar problemin, nevojitet qasje më serioze. Ende nuk dihet se kur do të japin rezultat masat qeveritare për kthimin e të rinjve në fshatra./Tv21/

Exit mobile version