Telegrafi

Maqedonia e Veriut vendoset në “stand by” për negociatat me BE-në

Ministrat e BE-së kanë shtyrë vendimin për përcaktimin e datës për nisjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, për në muajin tetor.

“Këshilli Evropian do të kthehet në këtë çështje, me qëllim që të merr vendim të qartë sa në shpejtë të jetë e mundur, më së voni deri në tetor 2019”, thanë ministrat për Punë të Jashtme të vendeve anëtare të BE-së, në përfundimet e miratuara në mbledhjen e djeshme në Luksemburg, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Komisioni Evropian i ka rekomanduar Këshillit të Evropës të përcaktojë datë për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut, duke thënë se vendi i ka plotësuar kushtet.

Në BE nuk ekziston konsensus për procesin e zgjerimit, partnerët kyç të Unionit insistojnë në atë se BE së pari duhet të stabilizohet në kuadër të saj, duke përfshirë edhe pasojat nga Brexit-i.

Një pjesë e vendeve anëtare të BE-së kanë qenë për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut, ndërsa disa të tjera kanë thënë se Maqedonia duhet të presë.

Ndryshe, kryeministri Zaev në fillim të këtij muaji ka thënë se do të jep dorëheqje nëse Brukseli nuk jep datë për nisjen e negociatave me Shkupit, ndërsa në takimin e fundit me Angela Merkelin tha se ka marrë premtim se në vjeshtë do të ketë vendim./Telegrafi/