Telegrafi

Maqedonia e Veriut me kryeministër shqiptar, sot bëhet pranim-dorëzimi i funksionit

Zgjedhjet e njëmbëdhjeta kuvendare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj, ndërsa zgjedhjet e shtata presidenciale më 24 prill. Deri në formimin e qeverisë së re në fund të qershorit, vendi do të udhëhiqet nga qeveria teknike e kryesuar nga kryeministri Talat Xhaferi.

Kjo qeveri kalimtare u zgjodh dje me 65 vota “për” dhe tre “kundër”. Opozita maqedonase ishte në sallë, por abstenoi nga votimi, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare nuk morën pjesë fare në seancë.

Në Qeveri sot është planifikuar të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës në mes të kryeministrit aktual Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të Qeverisë kalimtare Talat Xhaferi. Pas mbërritjes në objektin e Qeverisë, është planifikuar që kryeministrat Kovacevski dhe Xhaferi të kenë një takim të shkurtër. Pritet që të ketë pranim-dorëzim funksionesh në të gjitha ministritë.

Xhaferi, dje në fjalimin e tij para deputetëve në seancën plenare të 141-të, tha se për të si mandatar i kësaj Qeverie, “nuk ka dallim nëse është një apo 100 ditë, Qeveri teknike apo kalimtare”.

Lexo po ashtu Talat Xhaferi është kryeministër i Maqedonisë

“Dua t’ju siguroj se në asnjë moment nuk do të lejoj të devijojmë nga ajo që do të thotë të jesh një institucion funksional dhe i besueshëm për qytetarët dhe një institucion me kompetenca të qarta të përcaktuara me Kushtetutë në raport me shtyllat e tjera të qeverisjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Xhaferi.

Xhaferi përsëriti se e pranon mandatin me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë dhe me shpresë se ministrat e propozuar do t’i përmbushin pritjet.

Në përbërjen e qeverisë kalimtare, Bojan Mariçiq është zëvendëskryeministër i parë i qeverisë dhe zëvendëskryeministër për çështje evropiane, ndërsa Artan Grubi është ministër i sistemit politik dhe marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve. Me propozim të OBRM-PDUKM-së, ministër i Punëve të Brendshme është Pançe Toshkovski, ndërsa për Punë dhe Politikë Sociale Gjoko Velkovski.

Lexo po ashtu Kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut – kush është Talat Xhaferi

Krenar Loga – ministër i Drejtësisë, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kresnik Bekteshi – ministër i Ekonomisë, Ljupço Nikolovski – ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Fatmir Mexhiti – Mministër i Shëndetësisë, Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit, Risto Penov – ministër i Vetëqeverisjes Lokale, Bisera Kostadinovska Stojçevska – ministre e Kulturës, Azir Aliu – ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Blagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Kaja Shukova – ministre e Mjedisit, Fatmir Bytyqi – ministër pa portofol përgjegjës për çështjet ekonomike dhe Slavica Grkovska – ministre pa portofol përgjegjës për politikat e qeverisjes së mirë.

Ndryshe, Qeveria kalimtare zgjidhet 100 ditë para zgjedhjeve të planifikuara për 8 maj. Mandati i Qeverisë kalimtare zgjat nga zgjedhjet deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për zgjedhjet për deputetë dhe zgjedhjen e qeverisë së re politike./Telegrafi/