Telegrafi

Maqedonia e Veriut dhe Qipro vendosin marrëdhënie diplomatike

Ministrat e punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe Qipros, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Hristodulidis, sot kanë nënshkruar protokollin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Siç njoftojnë nga MPJ, me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, hapen mundësitë për zhvillimin e dialogut politik në të gjitha nivelet dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe fushave tjera.

“Me këtë akt e zyrtarizojmë miqësinë edhe me një aleat në familjen evropiane, me të cilin aktivisht do të bashkëpunojmë për përmbushjen e agjendës evropiane. Sot hapim kapitull të ri të marrëdhënieve bilaterale dhe hapim derën për bashkëpunim miqësor dhe me prosperitet”, tha Dimitrov.

Protokolli u nënshkrua në Helsinki, në kuadër të takimit joformal të ministrave të punëve të jashtme të vendeve-anëtare të BE-së dhe vendeve-kandidate për anëtarësim në BE./Telegrafi/