Site icon Telegrafi

Maqedonia, e vendosur për zgjidhjen e kontesteve me Bullgarinë e Greqinë

Zgjidhja e kontesteve me shtetet fqinje, para se gjithash me Greqinë dhe Bullgarinë, mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë së kryeministrit Zoran Zaev. Kjo Qeveri po vlerëson se vetëm përmes ndërtimit fqinjësisë së mirë dhe përmbushjes së kritereve evropiane do të mund të përshpejtohet me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Në këtë kuadër të martën para Komisionit parlamentare për politikë të jashtme është hapur çështja e draft-marrëveshjes me Bullgarinë, por mbledhja është mbajtur me dyer të mbyllura, ndërsa debati është kërkuar nga OBRM-PDUKM-ja opozitare e cila kërkon nga Qeveria transparencë për të gjitha çështjet me interes shtetëror.

“Kjo marrëveshje është shumë e rëndësishme, pasi prekë interesat nacionale të Maqedonisë. Vlerësojmë se është mirë që marrëveshja të arrihet, por me kusht që të mos i dëmtojë interesat kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë”, ka deklaruar Antonio Milloshoski, deputet i OBRM-PDUKM-së.

“Kryeministri Zoran Zaev dhe shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov gjithmonë kanë thënë se vendimet e rëndësishme do të miratohet në Kuvend me përfshirjen e të gjitha palëve. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se sa e gjithë procedura të jetë e hapur dhe transparente”, ka thënë Milloshoski.

Detaje nga marrëveshja për fqinjësi të mirë që pritet të nënshkruhet në fillim të muajit të ardhshëm nuk dihen, përveç faktit se ajo do të nënshkruhet në maqedonisht dhe bullgarisht, që flet për njohjen e gjuhës maqedonase nga Bullgaria fqinje.

Kryeministri Zoran Zaev në një mbledhje tjetër të Komisionit për çështje evropiane kishte deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve me shtetet fqinje është pjesë kryesore e planit qeveritar të quajtur “3-6-9” (plani çdo tre muaj).

“Plani është udhërrëfyes me qëllime të qarta të cilat duhet t’i realizojmë në rrugën tonë drejt integrimit euroatlantik. Ky plan dhe realizimi i tij do të vërtetojnë se Maqedonia megjithatë do të jetë një shtet i respektuar”.

“Ne kemi mbështetjen e miqve strategjikë dhe të sinqertë të Bashkimit Evropian që i dërguan edhe nga samiti i shteteve të Ballkanit Perëndimor që u mbajt të Trieste. Miqtë tanë vlerësojnë se Maqedonia është në rrugë të vërtetë dhe kërkojnë që ne të jemi unik dhe në funksion të përmbushjes së interesit të përbashkët”, ka thënë kryeministri Zaev.

Maqedonia dhe Bullgaria kanë probleme të hapura për gjuhën, kulturën dhe prejardhjen e shumë personaliteteve nga e kaluara historike. Dy vendet pretendojnë se Goce Dellçev dhe shumë heronj të tjerë u përkasin dy shteteve.

Përveç me Bullgarinë, përpjekje nga Qeveria edhe për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë. Pas takimeve që pati para dy javësh në Shkup, ndërmjetësi i OKB-së, Mejtu Nimic, të hënën, në Bruksel ka takuar shefin e diplomacisë greke, Nikos Kocijas i cili siç transmetojnë mediat, i ka thënë ndërmjetësit Nimic se komunikimi me Qeverinë e re në Shkup është shumë më i frytshëm se ai me Qeverinë e mëparshme.

Shefi i diplomacisë greke ka thënë se një frymë të tillë e pret edhe gjatë vizitës së tij në Shkup më 31 gusht.

Njohësit e çështjeve ndërkombëtare thonë se komunikimi mes dy vendeve shihet si sinjal i mirë për mbylljen e kontestit mbi 20 vjeçar, por se për marrëveshja, megjithatë ende është herët të flitet.

“Takimet në Shkup shënuan fillimin e vendosjes së komunikimit, ndërsa takimin mes Kocijas dhe Nimic në Bruksel e shoh si vazhdimësi dhe forcim të dialogut. Por, mendoj se kjo nuk do të sjell ndonjë rezultat konkret, pasi për këtë nevojitet ende kohë, konsultime dhe negociata deri në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për ndërtimin e fqinjësisë së mirë”, thotë ish-diplomati Bllagoj Zashov.

Nga zgjidhja në veçanti e kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, varet edhe integrimi euroatlantik i Maqedonisë, Greqia për më shumë se dhjetë vjet bllokon marrjen e datës për nisjen e bisedimeve për anëtarësim mes Maqedonisë dhe BE-së si dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO.

Exit mobile version