Sipas Indeksit të arsimit medial të vitit 2018, të përgatitur nga Instituti Shoqëria e Hapur në Sofje, vendet ballkanike janë më të prekshme në Evropë, kur bëhet fjalë për lajmet e rrejshme.
Sipas raportit, e gjithë kjo i faturohet nivelit të kontrollit ndaj mediave, nivelit të ulët arsimor dhe nivelit të ulët të besimit në shoqëri, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Raporti thotë se liria e medias është një faktor i rëndësishëm në mundjen e fenomenit të lajmeve të rrejshme, ndërsa kyçe është edhe niveli arsimor, posaçërisht në aspektin e arsimimit dhe trajnimit mediatik.
Ndër vendet më të përgatitura për t’u rezistuar lajmeve të rrejshme janë vendet nordike, pastaj radhiten një numër nga vendet e Bashkimit Evropian, përfshi Britaninë e Madhe, por jo të gjitha.
Disa vende të BE-së radhiten në vendin e tretë. Në pozitat më të ulëta janë vendet ballkanike si Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Shqipëria.
Turqia dhe Maqedonia janë dy vendet e fundit, ku rezistenca ndaj lajmeve të rrejshme është mjaft e ulët. Sipas raportit, kjo ndodh pasi që në Turqi ka një nivel tepër të ulët të lirisë së medias, kurse në Maqedoni ka nivel të ulët të arsimit mediatik.
Në këtë raport nuk është përfshirë Kosova./Telegrafi/