Telegrafi

Maqedonia dhe Kazakistani nënshkruajnë tre marrëveshje bilaterale për bashkëpunim ndërkombëtar

Për të përmirësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kazakistanit, Ministria e Drejtësisë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Kazakistanit nënshkruan sot tre marrëveshje bilaterale mbi bashkëpunimin dhe ndihmën ndërkombëtare.

Marrëveshjet u nënshkruan nga ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Kazakistanit, Gizat Nurduletov.

Në takim, Deskoska theksoi se është një nder dhe kënaqësi e madhe të nënshkruajmë marrëveshje bilaterale në fushën e ndihmës juridike ndërkombëtare.

Që nga pavarësia, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka lidhur marrëveshje bilaterale me Republikën e Kazakistanit, ndërsa duke pasur parasysh që Republika e Kazakistanit nuk është nënshkruese e konventave në këtë fushë, nuk ka pasur bazë ligjore paraprake për ekstradim, transferim dhe ndihmë të ndërsjellë juridike midis shteteve./Telegrafi/