Site icon Telegrafi

Maqedoni, vendimet me konsensus mund ta bllokojnë funksionimin e qeverisë

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë ditës së djeshme prezantoi Artan Grubi si zëvendëskryeministrin e parë me çka, sipas Ahmetit, vendimet do të merren në mënyrë konsensuale bashkërisht me kryeministrin.

Ekspertët juridik vlerësojnë se kjo është rrënim i sistemit juridik dhe zgjerim i marrjes së vendimeve për një etni të caktuar, por kryeministri Zaev mohoi se Qeveria do të udhëhiqet në mënyrë konsensuale, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Zëvendëskryeministri i parë do të thotë ai që zëvendëson Zaevin kur ai mungon. Për udhëheqjen e mbledhjes apo pritjen e delegacionit. Dihet se kryeministri nënshkruan”, tha Zaev.

Megjithatë, sipas profesoreshës Mirjana Najçevska vet ideja e një lloj të tillë të ndarjeve në qeveri nuk paraqet modelin qytetarë dhe zgjeron ndarjen në mënyrë etnike në Qeveri.

“Parashtrohet pyetja se ai zëvendës i cili do të kryesojë me Qeverinë në cilën mënyrë do ta bëjë dhe për cilin interes do shërbejë. A do t’i përfaqësojë nevojat dhe interesat e gjithë qytetarëve apo vetëm të një grupe qytetarësh”, tha Najçevska.

Sipas saj, një marrëveshje e tillë partiake në Qeveri do të ishte në kundërshtim me ligjin dhe do të rrënojë sistemin juridik të shtetit.

Ajo është pro që vendimet në qeveri të merren me shumicë votash dhe se parimi i Badenterit duhet të përdoret kur merren vendime lidhur me identitetin e bashkësive etnike./Telegrafi/

Exit mobile version