Kryeminstri Zoran Zaev sot pasdite njoftoi se subvencionet për duhanin janë siguruar, ndërsa prodhuesit do t’i marrin pas përfundimit të kontrolleve administrative.
Duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve në seancën e sotme, Zoran Zaev tha se Ministria e Bujqësisë para çdo pagese (ndihme) duhet të kontrollojë të gjitha të dhënat, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Dua që ta dijnë edhe bujqit, në pjesën e llogaritjeve dhe përgatitjeve për subvencionet, shumë shpesh Ministria e Bujqësisë duhet të kontrollojë të gjitha të dhënat, nga numrat amë deri tek llogaritë. Pas përfundimit të kontrollit, për jo më shumë se dhjetë ditë, do të paguhen paratë për duhan. Mjetet janë siguruar dhe sapo të përfundohen procedurat administrative subvencionet do të paguhen”, theksoi kryeministri./Telegrafi/