Nuk është tejkaluar ende problemi me stacionet për matjen e ndotjes së ajrit. Në periudhën kur niveli i ndotjes është gjithnjë e në rritje, disa nga stacionet matëse nuk japin të dhëna lidhur me cilësinë e ajrit. Ministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova thotë se faji është te pajisjet e vjetruara.
“Është normale, bëhet fjalë për stacione monitoruese automatike që kanë pjesë të ndjeshme, që për fat të keq shumë shpesh prishen, megjithatë ne në vazhdimësi i përmirësojmë, kemi mbi 20 stacione matëse në nivel të shtetit, nuk janë vetëm në Qytetin e Shkupit. Disa njerëz punojnë në mirëmbajtjen e sistemit, mund të ndodh që një ditë dy të mos punojë një stacion matës, derisa të ndryshohet pjesa që është prishur me një pjesë rezervë”, u shpreh Kaja Shukova, Ministre e mjedisit jetësor dhe planifikimit hapësinor.
Edhe përkundër pohimeve të tilla të Shukovës, situata është ndryshe, Stacioni matës te Rektorati nuk jep të dhëna muaj me radhë. Alsat edhe gjatë muajit të kaluar ka ndjekur faqen e internetit të ministrisë së Ekologjisë dhe stacionet matëse ose nuk tregojnë rezultat ose nuk kanë fare të dhëna. ( foto 15 tetor )
Gorjan Jovanovski, krijuesi i aplikacionit Air Care, thotë se përveç teknologjisë së vjetër, stacionet matëse shtetërore dhe faqja e internetit nuk mirëmbahen mirë.
“Siç e shohim tani në këtë moment në ueb faqen e ministrisë, mbi 35 senzorë në 20 stacionet matëse që i kemi nuk punojnë…. Nuk mund ta kuptoj si themi se kjo është normale që dy tre ditë në muaj ndonjë stacion matës nuk punon. Si mundet një ministri të mos ketë mundësi të mirëmbajë 20 stacione matëse… Nëse ata nuk kanë mjete ose nuk munden, thjesht le t’ia lënë punën dikujt që mundet, sepse kështu nuk kemi të dhëna të plota dhe kur nuk kemi të dhëna, nuk mund të nxjerrim raporte vjetore, mujore apo ditore ku do të thoni ndotja është kështu dhe ashtu”, tha Gorjan Jovanovski, eko aktivist.
Ekspertët e Institutit të Shëndetit publik kanë alarmuar se bazuar në të dhënat e analizave, ndotja e ajrit shkakton 17 deri në 19 për qind të vdekjeve në vendbanimet ku ajri është më i ndotur. Ekspozimi në ajër të ndotur për një kohë të gjatë prek pothuajse të gjitha moshat, por më të rrezikuarit janë fëmijët./ Alsat.mk