Ekonomia vendore, si edhe ekonomitë e tjera edhe më tej regjistrojnë dëme nga kiza me Kovid-19, ndërsa Ministria e Financave tashmë përpunon projeksione të reja për rritjen ekonomike, që sipas Bankës Botërore dhe ekspertëve financiarë këtë vit në shtet do të ulet për rreth katër për qind. Qeveria pohon se po ndërmerr masa për futje të parave në ekonomi, por sipas opozitës dhe afaristëve masat e deritanishme nuk mjaftojnë dhe nevojitet injeksion më i madh financiar.
Ministrja e Financave, Nina Angellovska dje kumtoi se po përpunojnë projeksione për rritjen ekonomike, duke cekur se pret së shpejti rikuperim të ekonomisë pasi që kriza shëndetësore do ta arrijë pikun dhe do të fillojë të shënojë ulje.
“Para vetëm një muaji projeksioni për rritjen ekonomike ishte 3,8 për qind, njejtë para vetëm një muaji FMN-ja parasheh rritje tek 160 ekonomi, ndërsa sot drejtoresha e FMN-së tashmë deklaron se pritet rënie tek pjesa më e madhe e ekonomive apo 180 ekonomi. E tërë bota po përballet me krizë të përmasave të panjohura. Parashihet se në eurozonë recesioni do të paraqesë rënie rreth katër për qind”, tha Angellovska në konferencën e djeshme për shtyp, ku e sqaroi shfrytëzimin e masës për ndihmë nga shteti me pagesë të rrogës minimale prej 14.500 denarëve.
Sipas saj, lajm pozitiv për ekonominë është se kjo krizë nuk është shkaktuar nga rënia apo çrregullimi i sistemit, por bëhet fjalë për krizë shëndetësore që shtrihet në ekonomi dhe për atë shkak pritet procesi të jetë më i shpejtë.
Lideri i OBRM-PDUKM-së opozitare, Hristian Mickoski, ndërkaq, parashikon se efektet negative ndaj ekonomisë së vendit të shkaktuara nga pandemia me Kovid-19 do të shkaktojnë rritje dramatike të borxhit publik në raport me Bruto prodhimin vendor dhe mund të arrijë 70 për qind të BPV-së.
Bën thirrje që të mos kthehen menjëherë paratë që do t’i ndahen vendit, me masat për ndihmë të kyçet edhe marsi si jashtëzakonisht i vështirë nga aspekti i goditjes që e pësuan kompanitë, si dhe të relaksohet politika fiskale.
Fatmir Bytyqi, kryetar i Komisionit për financa të LSDM-së, dje porositi se masat që Qeveria i ndërmerr për menaxhim me pasojat e dëmshme ndaj ekonomisë janë me kohë, gjithëpërfshirëse dhe të drejtuara kah ata të cilët janë më të goditur nga kriza e virusit korona.
Qeveria tashmë ndau më shumë se 6,5 miliardë denarë nga Buxheti për zbatimin e masave ekonomike me të cilat përfshihen 250.000 të punësuar dhe mbi 35.000 kompani.
Që t’i ruajmë vendet e punës, por edhe që askush të mos mbetet pa të ardhura derisa zgjat kriza, Qeveria siguroi 14.500 denarë për të gjithë të punësuarit në kompanitë e goditura për muajt prill dhe maj, ndërsa masa e njëjtë ka të bëjë edhe për zejtarët, punonjësit sportiv dhe veprimtaritë e pavarura. Krahas kësaj mase firmat mund të zgjedhin edhe ndihmë për mbulimin e 50 për qind të shpenzimeve për kontribute të secilit të punësuar.
Fondi monetar ndërkombëtar (FMN) miratoi mbështetje financiare për vendin tonë, përmes Instrumentit për financim të shpejtë, në shumë prej rreth 176 milionë euro, me normë interesi prej 1,5 për qind dhe afat pagese prej pesë viteve. Siç vlerësoi guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska- Bezhoska, ndërkaq, mbështetja financiare për ne është me rëndësi të jashtëzakonshme si për zbatim të masave fiskale, ashtu edhe për zbatim të rritjes së mëtutjeshme të potencialit devizor të ekonomisë sonë, përkatësisht për rritje të nivelit të rezervave devizore.
“Në këtë mënyrë krijohet hapësirë më e madhe për zbatimin e politikës relaksuese monetare dhe për sigurim të kushteve të lehtësuara financiare për kreditim të kompanive dhe qytetarëve të goditur”, theksoi guvernatorja ANgellovska-Bezhoska.
Siç paralajmëroi ministrja e Financave, Nina Angellovska, pritet mbështetje kreditore edhe nga Banka botërore, ndërsa ka filluar edhe procedura e editimit të eurobondit, proces i cili mund të zgjasë prej 45 deri 60 ditë. Ministria e Financave dhe Drejtoria e doganave po punojnë edhe në analizë sipas kërkesës së Odës ekonomik që të barazohet çmimi i akcizës për derivatet ekstra tëlehta dhe dizelin. Vendimi që do të sillet, pohon ajo, nuk do ta godasë xhepin e qytetarëve.
Kundër rritjes së akcizës për derivatet e naftës janë Lidhja e odave ekonomike (LOE), transportuesit, fermerët, OBRM-PDUKM-ja opozitare.
Sipas LOE, dalja nga kriza nuk qëndron në rritjen e akcizave, ndërkaq përmes asaj edhe në çmimet për shkak të mbushjes së Buxhetit, por në sigurimin e injeksionit institucional financiar drejt sektorit privat dhe qytetarëve.
Instituti për hulumtime dhe politika ekonomike Fajnans tink në analizën më të re parashikon rënie prej 3,8 për qind të ekonomisë së vendit këtë vit. Pritet intensitet më i madh në tremujorin e dytë për kur projektohet ulja e BPV-së prej 12.7 për qind, ndërsa tremujorët në vijim të shënojnë konsolidim ekonomik.