Krahas gjërave të tjera që lidhen me mënyrën e të jetuarit, zhvillimi i teknologjisë dhe jeta dinamike bashkëkohore ka ndryshuar edhe mënyrën e të ushqyerit të njerëzve, veçmas atyre të moshave më të reja që konsumojnë ushqime të shpejta me cilësi tejet diskutabile për shëndetin e popullatës.
Portalb bisedoi për këtë çështje me mjekun tetovar Liridon Dishën, i cili, ndërmjet tjerash, tha:
“Ushqimi dhe ushqyeshmëria janë faktorët kryesorë për një shëndet të mirë. Sa më kualitativ të jetë ushqimi, aq më i sinkronizuar është metabolizmi i njeriut. Mirëpo, për blerjen, përgatitjen dhe konsumimin e ushqimit cilësor ndikojnë shumë faktorë. Është e rëndësishme të përmendet se ushqimet më të mira për një popullatë të caktuar janë pemët dhe perimet endemike. Ushqimet më të shëndetshme ngelen më të pastrat, që do të thotë se janë pa stërpikje dhe pa pesticide, pa konzervanse dhe pa substanca që e nxisin rritjen e shpejtë të kafshëve”.
Mjeku Liridoni Disha foli edhe për ndikimin e ushqimeve të ndryshme në organizmin njerëzor, duke theksuar në veçanti dëmet që sjellin ushqimet e yndyrshme, sidomos te personat që nuk merren me ndonjë aktivitet të rregullt fizik. Yndyrnat mund të shkaktojnë çrregullimin e metabolizmit, njësoj si konsumimi i tepërt i sheqernave, ushqimet kalorike që shtojnë peshën dhe shkaktojnë sëmundje kardiovaskulare etj.
Për ushqimet e rrezikshme flet edhe inspektori i bujqësisë Ilir Sulejmani:
“Është fakt se në kohën e sotme gjejmë gjithnjë e më pak ushqime të ashtuquajtura bio. Janë shtuar rastet e bujqëve që prodhojnë pemë dhe perime me pesticide dhe substanca të dëmshme për organizmin e njeriut. Për t’u ndërprerë kjo gjë duhet punuar shumë në vetëdijësimin e njerëzve, veçmas të disa bujqëve, që në sajë të këtyre mekanizmave të palejueshëm përpiqen të vijnë gjer tek fitimi më i lehtë”, tha ai.
Ndërsa Emira Ziberi mendon se mënyra e të ushqyerit në vendin tone lë shumë për të dëshiruar. Për t’u ushqyer shëndetshëm fillimisht duhet bërë dallimin ndërmjet asaj që është e shëndetshme dhe asaj që është e dëmshme thotë Ziberi.
“Mendoj se konsumojmë ushqime me përmbajtje të madhe të sheqernave, yndyrnave e brumërave që ndikojnë keq në organizëm”, tha ajo për Portalb.
Ziberi përmend edhe atë se në shkolla fillore dhe të mesme pjesën më të madhe të ditës të rinjtë e kalojnë me ushqime të cilat janë të vërtetuara si të dëmshme, si puna e “fast food-eve”.
Besa Lika thotë se ushqimet që konsumojmë sot janë të pashëndetshme.
“Mjekët na e thonë vazhdimisht që të shmangim sa më shumë nga tryezat tona vrasësit e ngadalshëm: miellin e bardhë, sheqerin, vajin dhe kripën, po ne vazhdojmë me konsumimin e pakontrolluar të tyre, duke u dhënë vetëm pas shijes së mirë që ato u japin ushqimeve. Mendoj se na mungon kultura e të ushqyerit që duhet të mësohet që në moshë të re”.
Siç mund të kuptohet nga të anketuarit e Portalb-it, popullata jonë nuk e lodh fort mendjen për ushqim të shëndetshëm, përkatësisht nuk është akoma e vetëdijshme se koha e pemëve, perimeve dhe ushqimeve të tjera të pastra dhe bio ka kaluar që moti.