Site icon Telegrafi

Maqedoni, raporti për sistemin AKMIS akoma nuk ka arritur në Prokurorinë Publike

Si ka ndodhur që raporti për funksionimin e sistemit AKMIS-it të humbet, në relacion jo më të gjatë se një kilometër nga Ministria e drejtësisë e deri te Prokuroria publike, askush nuk e di.

Pas më shumë se një muaji, pasi që grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë prezantoi se si është gjendja në disa gjykata të Maqedonisë dhe përderisa opinioni pret përgjigje se a ka pasur keqpërdorime, nga Prokuroria thonë se nuk e kanë marrë dokumentin.

“Raporti ende nuk ka arritur në Prokurorinë Publike. Obligim i institucioneve është që ta dërgojnë në përputhje me ligjet, e më pas i njëjti do të shqyrtohet në mënyrë të detajuar”, thonë nga Prokuroria Publike.

Nga Ministria e Drejtësisë pohojnë se raportin e kanë dërguar dhjetë ditë pas prezantimit publik, më 7 dhjetor dhe nuk e kanë të qartë se pse Prokuroria ende nuk e ka marrë. Pasi që Këshilli Gjyqësor e mori raportin, kryetari Zoran Karaxhovski, së pari tha se ka pritur shumë, e më pas deklaroi se ka dilema se a duhet ky raport të jetë me shenjën – material i besueshëm.

Ministri i drejtësisë, Bilen Saliji, për TV21, thotë se Raporti ka qenë me shenjën “material i besueshëm” që opinioni të sigurohet se Ministria vepron në mënyrë profesionale.

“Raporti u dërgua në mënyrë të rregullt deri tek të gjitha institucionet kompetente të cilat kanë autorizim ligjor të veprojnë pas rezultateve të arritura në lidhje me raportin. Për shkak se ingerencat e Ministrisë së Drejtësisë janë të kufizuara sipas rregullores gjyqësore, Ligjit për gjykata dhe kornizave tjera ligjore, unë kamë vlerësuar se për t’ju dhënë mundësi institucioneve kompetente i njëjti duhet të jetë i klasifikuar me qëllim që të mos lihet përshtypja se jemi të njëanshëm ndaj dikujt”, tha Bilen Saliji.

Grupi i kryesuar nga gjykatësi Llazar Nanev gjatë kontrollit të funksionimit të sistemit kompjuterik për shpërndarjen e lëndëve gjyqësore, erdhi në përfundim se në Gjykatën Penale dhe në atë Supreme në Shkup, disa lëndë janë shpërndarë nëpërmjet telefonit dhe direkt në dorë.

Exit mobile version