Çerdhet e fëmijëve janë institucionet që prindërit ua besojnë fëmijët e tyre. Në qëndrim ditor, pos gjumit fëmijët edhe ushqehen tre herë në ditë, shkruan gazeta KOHA.
Por, dilema që ngritët është se sa i përmbush kriteret përgatitja e ushqimit me çfarë cilësie u servohet fëmijëve. Natasha Sazdovska, drejtoresh e çerdhes për fëmijë “Gëzimi fëmijëror” në Gostivar, shprehet se ushqimet që dalin nga kuzhinat e çerdheve publike të Gostivarit plotësojnë të gjitha standardet e përgatitjes dhe cilësisë.
“Ne në institucionin tonë angazhohemi maksimalisht për sigurim të ushqimit të shëndetshëm për fëmijët. Në kuzhinat tona vazhdimisht bëhen investime dhe kemi ripërtëritjen dhe zëvendësimin e pajisjeve. Vazhdimisht bëhet mirëmbajtja e hapësirave dhe kryhet dezinfektimi i të njëjtave”, thotë për KOHA Sazdovska, duke shtuar që, marrë parasysh se bëhet fjalë për popullatë më të re, institucioni që drejton kujdeset që menyja ushqimore për fëmijët të jetë në pajtim me standardet dhe kriteret për ushqim të shëndetshëm.
“Nga përvoja e deritanishme mund të them se shumë punë kanë ndryshuar. Pra shkojmë në atë që të përdoren sa më shumë pemët dhe perimet e freskëta, pretendohet për marrje të sa më shumë vitaminave dhe mineraleve. Ne në institucionin tonë punojmë sipas standardeve dhe normave që na janë dhënë nga ana e agjencisë për veterinari dhe ushqim. Mund të them se një herë në muaj na merren gjithnjë mostra të ushqimit nga ana e institucionit, tek të cilat asnjëherë nuk jemi përballur me probleme. Shpresoj se edhe në të ardhmen do të vazhdojmë ta pasurojmë menynë ushqimore me qëllim që sa më mirë të kujdesemi për shëndetin e fëmijëve”, vijon Sazdovska.
Ndërkaq, Abdylezel Doani, zëvendësdrejtor i Agjencisë për Veterinari dhe ushqim shprehet që veprimtaria e këtyre institucioneve vazhdimisht mbahet në vëzhgim dhe çdoherë jepen këshilla adekuate për punën e tyre të përditshme në pjesën e përgatitjes së ushqimeve.
“Shërbimet tona profesionale japin këshilla për ushqimin e shëndetshëm dhe të dëmshëm , sit ë rruhet shëndeti , sit ë veprojnë në rastet kur u keqësohet shëndeti nga konsumimi i ndonjë ushqimi, me qëllim që të evitohen pasojat e padëshiruara në shëndetin e tyre”, deklaroi Doani.
Duke folur për standardin e përgatitjes së ushqimeve në institucionet e tilla por në përgjithësi në Republikën e Maqedonisë, zëvendësdrejtor i Agjencisë për Veterinari dhe ushqim, Abdylezel Doani shprehet që ato plotësojnë kriteret e kërkuara. Doani apelon tek prindërit që të mos ngurojnë që t’i paraqesin ankesat e tyre qoftë edhe në formë anonime sepse në këtë formë, kontribuojnë në rritjen e cilësisë së ushqimeve.
Në Maqedoni që nga viti 2008 ka një rregullore ligjore me të cilën ndalohet importi i ushqimit të modifikuar gjenetikisht. Më së shpeshti, në rajonin tonë, si ushqim i modifikuar gjenetikisht mund të haset misri por edhe disa produkte të tjera ushqimore.