Site icon Telegrafi

Maqedoni, për rroga janë harxhuar 2 miliardë euro

Pjesa më e madhe e kompanive apo 41 për qind janë firma tregtare që përbëjnë një të tretën nga gjithsej 375.129 të punësuar dhe kanë realizuar gjysmën e qarkullimit vjetor prej 18 miliardë euro, gjegjësisht 24 për qind të vlerës së shtuar.

Mbi 50 mijë kompani në Maqedoni që në mënyrë aktive ushtrojnë veprimtari, vitin e kaluar kanë realizuar qarkullim vjetor prej mbi 18 miliardë euro, ndërsa të gjithë kompanitë bashkë nga sektori privat, për një të punësuar mesatarisht brenda një viti kanë paguar rrogë vjetore prej 5.331 euro apo mbi 2 miliardë euro kanë ndarë rroga për gjithsejtë 375.129 të punësuar, që i bie të jetë 11 për qind nga vlera e përgjithshme e qarkullimit vjetor prej 18 miliardë euro.

Kështu tregojnë të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikës (ESHS) për punën e mbi 50 mijë kompanive nga sektori privat gjatë vitit 2016, shkruan gazeta KOHA. Me këtë qarkullim vjetor, kompanitë private në Maqedoni kanë realizuar rreth 4 miliardë euro nga vlera e shtuar. Krahasuar me vitin paraprak 2015, të dhënat e ESHS-së për firmat private me orientim të tregut, qarkullimi vjetor është rritur për 3 për qind, ndërsa vlera e shtuar është rritur për 7 për qind.

Sipas këtyre të dhënave, pjesa më e madhe e kompanive apo 41 për qind janë firma tregtare që përbëjnë një të tretën nga gjithsej 375.129 të punësuar dhe kanë realizuar gjysmën e qarkullimit vjetor prej 18 miliardë euro, gjegjësisht 24 për qind të vlerës së shtuar. Numri më i madh i të punësuarve, gjegjësisht 36 për qind nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin privat, është në industrinë e përpunimit, e cila ka krijuar një të katërtën apo 26.4 për qind nga totali i vlerës së shtuar.

Vitin e kaluar edhe ndërtimtaria mori pjesë me 11 për qind në krijimin e vlerës së shtuar, transporti me 8.6 për qind, furnizimin me energji elektrike me 7.1 për qind. Firmat private në Maqedoni në përgjithësi kanë më pak se 10 të punësuar dhe në këto kompani të vogla punojnë rreth 90 për qind nga numri i përgjithshëm i subjekteve afariste të regjistruar në Regjistrin qendror të Maqedonisë dhe për veprimtari kryesore kanë tregtinë me shumicë dhe pakicë. Në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ku ka më pak se 10 të punësuar punon çdo i treti punëtor nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në sektorin privat në Maqedoni.

Dhe këto firma të vogla dhe të mesme krijojnë 22 përqindëshin e tatimit të shtuar. Në anën tjetër, në firmat e mëdha punojnë 0.3 për qind e punonjësve nga numri i përgjithshëm i të punësuarve dhe atë në përgjithësi në sektorin e industrisë përpunuese, duke krijuar kështu 34.2 për qind të tatimit të shtuar. Edhe përkundër qarkullimit vjetor prej 18 miliardë euro, të gjithë kompanitë së bashku për rrogat e punëtorëve apo për një të punësuar mesatarisht në vitin 2016, kanë paguar pagë vjetore prej 5.331 apo për gjithsej 375.129 të punësuar në mbi 58 kompani private, brenda një viti totali i pagave të paguara për vitin 2016 është diçka më shumë se 2 miliardë euro.

Exit mobile version