Përfundimisht nuk do të ketë rizgjedhje të gjykatësve, edhe përkundër asaj që koalicioni qeveritar ishte zotuar për një gjë tillë në fushatën zgjedhore. Arsyeja e marrjes së vendimit të tillë është rekomandimi i bërë nga eksperti gjerman Reinhard Priebe në raportin e tij për Maqedoninë, se rizgjedhja e gjykatësve do të kishte efekt shumë negativë në realizimin e reformave në gjyqësor.
Duke folur për sistemin AKMIS, ministri i drejtësisë, Bylent Saliji tha se do të ketë kontrolle të rregullta në të gjitha gjykatat e vendit, shkruan tv 21.
“Ai grup punues kreu kontroll, gjegjësisht ekspertizë në punën e sistemit të AKMIS-it në gjykatën themelore 1, gjatë javës së ardhshme do të realizohet ekspertizë edhe në punën e këtij sistemit edhe në gjykatën e apelit, që të përfundojmë me pjesën e parë. Kjo kontroll apo ekspertizë do të jetë permanente nga tani, në bazë të ingerencave të ministrit të drejtësisë, në të gjitha gjykatat e vendit”, tha Saliji.
Nga ana tjetër, Ambasadori Francez në Maqedoni, Christian Timonier përmendi nevojën për rritje të mjeteve financiare, përmirësimin e përfaqësimit për të gjitha grupet etnike në Maqedoni, por megjithatë duke i mbajtur kriteret për përzgjedhjen e kandidatëve.
“Në raport është theksuar se trajnimi duhet më pak të jetë i orientuar në pjesën teorike, dhe më shumë në pjesën praktike. Aty janë vlerësuar edhe mendime të caktuara lidhur me përmbajtjen e edukimit të vazhdueshëm të gjyqtarëve, por gjithashtu edhe për krijimin e inspektimit të përgjithshëm të gjyqësorit”, u shpreh Christian Timonier , ambasador i Francës në Maqedoni./Telegrafi/