Niveli i lartë i ndotjes së ajrit po rikthehet përsëri. Stacionet matëse kanë shënuar nivel të lartë të ndotjes Qendër, Karposh, Gazi Babë, Kumanovë, Tetovë e Manastir. Shoqatat ekologjike kërkojnë që ministria e ekologjisë t’i fuqizojë masat urgjente të cilat u paralajmëruan javën e kaluar nga ana e Qeverisë.
“E kemi të patjetërsueshme vendosjen e më shumë stacioneve matëse por edhe të matësve mobil. Shkupi zyrtarisht është ndër qytetet më të ndotura në botë, dhe masat urgjente duhet të hyjnë në fuqi menjëherë. Nuk e di përse pritet që të njëjtat të hyjnë në fuqi. Ne jemi në gjendje alarmi në mënyrë konstante, jo vetëm për këto dy ditë”, deklaroi Eli Pesheva nga “Koalicioni O2 – për ajër të pastër”.
Që masat e paralajmëruara të hynë në fuqi, nevojitet që në dy stacione matëse dy ditë të regjistrohet nivel mesatar i ndotjes mbi 200 mikrogram grimca në metër kub. Autoritetet vendore thonë se presin konstatimin e ministrive përkatëse për aktivizimin e masave.
Masat urgjente parashikojnë reduktimin e komunikacionit, lirimin nga puna e të sëmurëve kronik dhe shtatzënave, qarkullim të kufizuar të mjeteve të rënda të komunikacionit, pastrim më të shpeshtë të rrugëve, ulje të çmimit të biletave të autobusëve, shtrenjtimin e parkingut etj.