Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot kanë mbajtur takim koordinues kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, drejtori i Byrosë për Siguri Publike Sasho Tasevski.
Siç njoftojnë nga Qeveria, temë e takimit ishin masat e sigurisë të ndërmarra nga institucionet në lidhje me përballjen me kërcënimet hibride.
“Ministri Spasovski dhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike Tasevski në takim i prezantuan udhëzimet e reja për procedurat dhe masat e ndërmarra nga Ministria e Punëve të Brendshme pas marrjes së informacioneve, përkatësisht njohurive apo raporteve për kërcënime terroriste dhe bazuar në udhëzimet, është hartuar një plan masash dhe aktivitetesh për zbatim. Përveç kësaj, Ministria e Brendshme siguron edhe patrulla të vazhdueshme policore për sigurinë e shkollave”.
“Gjithashtu, masat dhe aktivitetet e ndërmarra tashmë nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës për përballimin e kërcënimeve hibride plotësohen me përforcimin e sigurisë së shkollave që garantojnë sigurinë e nxënësve dhe stafit mësimdhënës në vetë shkolla. Plotësuese me udhëzimet e hartuara nga MPB, po punohet edhe për një udhëzim me masa të Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Kulturës për të gjithë drejtorët e të gjitha shkollave në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët do të kenë obligim ta zbatojnë atë për të forcuar sigurinë e nxënësve dhe stafit mësimdhënës dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Gjithashtu theksohet se masat për forcimin e sigurisë së shkollave dhe procesit mësimor do t’u shpjegohen në detaje drejtorëve të shkollave në ditët në vijim, ndërsa prindërit dhe publiku do të njoftohen me kohë./Telegrafi/