Site icon Telegrafi

Maqedoni, mjekët vazhdojnë të alarmojnë për ndotjen e ajrit

Vazhdon alarmi i mjekëve mbi gjendjen e rëndë me ndotjen e ajrit dhe pasojat që kanë grimcat PM10 dhe PM 2,5 në shëndetin e njerëzve.

Në shënimin e ditës botërore të luftës kundër sëmundjeve kronike të mushkërive, mjekët thonë se numri i të prekurve shënon rritje nga viti në vit, e ndër shkaktarët më të mëdhenj të përhapjes së kësaj sëmundjeje është ndotja e lartë e ajrit, njofton Alsat-M.

“Numri i sëmundjeve kronike opstruktive të mushkërive në Maqedoni është në rritje. Të gjithë e dimë sa është niveli i ndotjes dhe grimcave të rrezikshme në ajër për këtë periudhe në veçanti në qytetin e Shkupit, gjë që ndikon në përkeqësimin e gjendjes së personave të prekur nga kjo sëmundje. Të gjithë ato materiet e dëmshme të cilat njerëzit i thithin përmes sistemit respirator dhe pas depërtimit në rrugët e frymëmarjes fillojnë komplikimet shëndetësore”, tha Biljana Ilievska, Shoqata e Pneumologëve të Maqedonisë.

Nga Instituti i sëmundjeve të mushkërive dhe tuberkulozit shtojnë se rastet më të shpeshta që paraqiten për të kërkuar ndihmë nga sëmundjet e mushkërive janë nga qytetet me nivel më të lartë të ndotjes.

Nga sëmundjet kronike të mushkërive në gjithë botën vuajnë rreth 200 milionë persona ku 65% vuajnë formën më të rëndë të kësaj sëmundjeje, ndërkaq brenda një viti në gjithë botën nga kjo sëmundje humbin jetën rreth 2 milionë njerëz.

Nga ana tjetër, prej rreth një muaji, shumë komuna të vendit janë përfshirë nga nivel i lartë i ajrit të ndotur. Sipas stacioneve matëse të Ministrisë së Ambientit Jetësor gjatë ditës së sotme nivel më i lartë i përqëndrimit të grimcave të dëmshme PM10 dhe PM 2,5 është shënuar në Tetovë, Veles, Kërçovë, Gazi Babë dhe në vendbanimin Rektorat.

Exit mobile version