Nënshkrim i menjëhershëm i marrëveshjes kolektive dhe kushte më të mira pune ose protesta dhe bllokime paralajmëruan nga Sindikata e pavarur e policisë së pyjeve në protestën e sotme, që është e shtata me radhë.
Nga sindikata theksuan se tashmë dy vite presin të zbatohet marrëveshja kolektive, me çka do të kishin paga më të larta, shpërblime dhe stazh me përfitime, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Ata thonë se po punojnë në kushte mizore, me pajisje të vjetër dhe me paga të ulëta që është diku rreth 16.000 denarë.
Ata rikujtuan ministrin Ljupço Nikollovski në deklaratat dhe punësimit që i dha në kohën kur ishte ministër teknik për Bujqësi dhe që nuk janë përmbushur deri tani.
Nga sindikata njoftuan se nëse nuk përmbushen kërkesat, nga muaji i ardhshëm do të fillojnë me protesta të ditëpërditshme para stacioneve të policisë së pyjeve.
Nga ministria e Bujqësisë thonë se bisedimet me Sindikatën e pavarur do të vazhdojnë pas zgjedhjeve presidenciale dhe se presin tekstin e marrëveshjes kolektive që iu është kthyer për përpunim shtesë.
Në policinë pyjore të punësuar janë 412 punonjës, nga të cilët 362 janë anëtarë të sindikatës së pavarur.
Nga ministria kumtuan se policia pyjore është pajisur me kompjuterë dhe se së shpejti do të shpallet tender për furnizimin e uniformave të reja./Telegrafi/