Kryetarja e Komisionit parlamentar për Transport dhe Lidhje, Liljana Zaturovska, nga radhët e OBRM-PDUKM-së, edhe njëherë premtoi se sot (e mërkurë) Ligji i Mediave do të jetë pikë e rendit të ditës në komisionin amë, pas një pauze 40 ditore.
Pavarësisht kësaj, Zaturovska thotë se përmbajtja e debatit nuk varet nga ajo dhe nuk premton dot debat konstruktiv nga kolegët e saj, duke theksuar se asnjë deputetit nuk mund të ia mohojë të drejtën e fjalës.
Siç edhe kishte theksuar më parë, arsyeja e shtyrjes së debatit sipas saj, kanë qenë çështjet teknike e jo çështjet politike.
“Për sot në ora 11:00 është caktuar vazhdimi i seancës në Komisionin për Transport dhe Lidhje, pra ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Media. Deri tani mendoj se kanë kaluar vetëm 8 amendamente, ndërsa gjithsej ka 72 amendamente nga të gjitha partitë politike”, deklaroi Liljana Zaturovska.
Përndryshe, kohëve të fundit, kryetarja e komisionit amë nuk ka thirrur seancë me çka edhe e u bllokua plotësisht debati mbi ligjin.