Telegrafi

Maqedoni, kryeministri dhe ministrat nesër përgjigjen në pyetjet e deputetëve

Kuvendi nesër do të mbajë seancën e 23-të në të cilën në rend dite janë edhe pyetjet e deputetëve për kryeministrin dhe ministrat. Zoran Zaev dhe ministrat për herë të parë pas formimit të qeverisë, do të ballafaqohen me pyetjet e deputetëve.

Seancën për pyetjet e deputetëve Parlamenti filloi ta mbajë 100 ditë pas formimit të qeverisë, por për shkak të zgjedhjeve lokale u shty, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas Rregullores së Kuvendit, seanca për pyetje mbahet çdo të enjte të fundit të muajit, por këtë herë është shtyrë për të premten, duke pasur parasysh seancën e përbashkët qeveritare mes Maqedonisë dhe Bullgarisë në Strumicë.

Në seancë detyrimisht duhet të jenë kryeministri dhe anëtarët tjerë të qeverisë të cilët kryejnë funksione publike./Telegrafi/