Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka reaguar pas dy incidenteve të fundit në Maqedoni të shkaktuar nga tifo-grupi “Komitët”, të cilët kanë vazhduar me thirrjet e tyre raciste ndaj shqiptarëve.
Nga Komiteti thonë se dy incidente brenda një jave, janë argumenti më i fortë se nuk duhet të vazhdohet tolerimi i këtij fenomeni destruktiv. Ata kërkojnë që të ndryshohet mënyra se si funksionojnë tifo-grupet, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Me vite kemi reaguar për incidentet të shkaktuara nga tifo-grupet, e ndjekim gjuhën e urrejtjes që del nga radhët e tyre dhe i numërojmë viktimat e dhunës, që është pasojë e urrejtjes nëpër stadiume, rrugë, sheshe, mediume…. Për ngjarjet e fundit kemi reaguar me dorëzimin e kallëzimeve në MPB dhe Sektorin për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Ata shtojnë se pas përhapjes së pandemisë globale COVID-19 dhe shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend, numri i denoncimeve për gjuhë të urrejtjes është rritur në mënyrë drastike, sidomos ajo në baza etnike./Telegrafi/