Prej se u mbyll shtegu ballkanik për kalimin e emigrantëve, vetëm këtë vit në Maqedoni janë evidentuar 4 viktima të trafikimit me njerëz dhe 35 viktima potenciale. Sipas pjesëmarrësve në konferencë, numri i refugjatëve dhe i rasteve të trafikimit të njerëzve është i madh, por për fat të keq, numri i personave të kapur – që janë marrë me këtë aktivitet kriminal, është i vogël.
Që lufta kundër trafikimit të emigrantëve dhe refugjatëve të jetë e suksesshme, vendet e rajonit duhet të rrisin bashkëpunimin dhe komunikimin mes vete.
Shefja e Misionit të OSBE-së në Maqedoni Nina Soumallajnen, thotë se vendet duhet të dinë si të mbrohen, si t’i identifikojnë viktimat dhe si t’i kapin trafikantët.
“Qasja jonë është orientuar drejt viktimave, d.m.th si të identifikohet kush ka qenë viktimë e trafikimit, si t’i ndihmohet viktimës të del nga gjendja ku ndodhet, dhe si trafikantët dhe kontrabandistët të dalin para gjyqit, të ndiqen për atë që kanë bërë dhe për shumat e mëdha të parave që i kanë përfituar nga trafikimi”, u shpreh Soumallajnen.
Madina Jarbusinova përfaqësuese speciale dhe koordinatore e OSBE-së për luftimin e trafikimit me njerëz, theksoi se numri i trafikantëve të kapur për fat të keq është shumë i ulët.
“Numri i refugjatëve është i madh dhe problemet janë të mëdha, kurse numri i trafikantëve me njerëz të kapur dhe që ndiqen penalisht, për fat të keq është i ulët. Derisa nuk i kundërvihemi këtij problemi nuk mund të gjejmë zgjidhje. Që të mundemi me të vërtetë t`i kundërvihemi këtij kriminaliteti dhe këtyre abuzimeve të tmerrshme të të drejtave të njeriut, nevojitet të punojmë së bashku”, tha ajo, njofton Tv 21.
Konferenca rajonale në Shkup organizohet si angazhim i përbashkët ndërmjet Misionit të OSBE-së në Shkup dhe Zyrës së Përfaqësuesit special dhe koordinatorit të OSBE-së në luftimin e trafikimit me njerëz. Në konferencë u miratua një deklaratë e përbashkët nga e cila përçohen dy porosi. Porosia e parë është se viktimat e trafikimit me njerëz pas identifikimit, do të trajtohen në mënyrë adekuate, kurse porosia e dytë është se kryerësit e kësaj vepre penale do të dënohen në mënyrën më të ashpër. /Telegrafi/