Site icon Telegrafi

Maqedoni e Veriut: Ndotja e ajrit në nivele rekord, gjoba për ndotësit

Në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, janë regjistruar vlera të larta të ndotjes së ajrit, përkatësisht prania e grimcave kancerogjene PM10 , duke arritur dhjetë herë nga niveli i lejuar.

PM10 u referohet sasisë të grimcave që ndotin ajrin në mikron për metër kub.

Ambientalistët thonë se ndotja e ajrit me përmasa të këtilla kërkon një angazhim urgjent nga autoritetet përkatëse, pasi kërcënon shëndetin e qytetarëve në kohën kur përballen edhe me pandeminë e koronavirusit.

Në këtë drejtim, ministri i Ambientit në Maqedoninë e Veriut, Naser Nuredini në një intervistë për Radion Evropa e Lirë pranon se nuk ka arritur të realizohet ulja e shkallës së ndotjes së ajrit për 50 për qind, në bazë të planit që kishte paraparë dikasteri që përfaqëson, nga shkaku se nuk ka arritur të ndryshohet sistemi ngrohës në shumë institucione. Ai si problematike ka apostrofuar edhe mungesën e më shumë kontrolleve për funksionimin e prodhuesve industrial.

Nuredini thotë se pandemia e koronavirusit, veçanërisht gjatë orës policore, ka dëshmuar se transporti urban më masë të dukshme është ndotës i ambientit.

Ministri Nuredini thotë se problemi i ajrit të ndotur do të zgjidhet përmes ndryshime ligjore që parashohin gjoba shumëfish më të larta për ndotësit e ajrit, të cilët pos që duhet të paguajnë gjoba do të obligohen të rikuperojnë dëmin e shkaktuar nga ndotja e ajrit.

“Në ligjin e vjetër dënimi maksimal ishte 100.000 euro; me ndryshimet në vitin 2018, ishte 10.000 euro dhe ne tani kërkuam që të mundësohet që dënimet të jenë 20 herë më të larta, përkatësisht të jenë 200.000 euro“, ka thënë Nuredini.

”Të gjithë duam të kemi ajër të pastër, mjedis jetësor të pastër, mirëpo të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të sillemi në mënyrë të përgjegjshme”, ka theksuar Nuredini.

Por, ambientalistët thonë se ka shumë ngecje në lidhje me realizimin e planit për pastrimin e ajrit, duke fokusuar mungesën e mjeteve financiare, pastaj mosfunksionimin e qendrave matëse për shkallën e ndotjes së ajrit, si dhe pamundësinë e posedimit të një fotografie të qartë për ndotjen e ajrit.

Ambientalistët kanë fokusuar si shumë problematike edhe mungesën e kapaciteteve të inspektorëve të mjedisit jetësorë.

“As qeveria dhe as Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinorë nuk jep të dhëna të sakta se deri ku ka arritur realizimi i planit që ka për qëllim pastrimin e ajrit, dhe shmangjen e ndotësve. Nuk kemi të dhëna se kur mund të priten analizat finale. Cilat janë shkaqet që kanë penguar realizimin e këtij plani”, thonë nga organizata ambientaliste O2.

Në bazë të ndryshimeve ligjore për kundërvajtje që pritet të marrin vizë nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut, të gjithë ata që në ndonjë mënyrë ndotin mjedisin, do të dënohen me gjobë, madje në vlerë deri në 5 mijë euro.

Përderisa për ndërmarrjet që do të ndotin ambientin gjobat mund të arrijnë në vlerë deri në 200 mijë euro, si dhe ndotësit krahas gjobës, duhet të rikuperojnë dhe dëmet e shkaktuara nga ndotja.

Gjatë këtij viti në Maqedoninë e Veriut janë realizuar mbi 1 mijë e 300 mbikëqyrje nga ana e Inspektoratit Shtetëror për mjedis jetësor megjithatë gjatë këtyre inspektimeve janë përgatitur vetëm 120 vendime me ç’rast subjekte të caktuara urdhërohen të shmangin mungesat e konstatuara sa i përket ndotjes së ambientit.

Arianit Xhaferi nga Organizata joqeveritare EKO GUERILA thotë se në ndryshimet ligjore duhet zgjeruar hapësira e veprimit të inspektorëve të mjedisit jetësorë, duke u mundësuar atyre që dënimet t’i shqiptojnë në vendin e ngjarjes, për të shmangur procedurat administrative ku përfshihet ndërveprimi i më shumë institucioneve.

“Nëse kemi një inspektorat ekologjik, qoftë në pushtetin lokal apo atë në atë qendror, i cili do të ketë kompetenca të ngjashme me inspektorët e Drejtorisë së të Ardhurave Publike që të mund të shkruajë gjoba në vend dhe ata gjoba të jenë të detyrueshme menjëherë të paguhen, normalisht do të mund të shohim se ndotësit do të jenë shumë më të kujdesshëm se tani”, thotë Xhaferi./REL/

Exit mobile version