Site icon Telegrafi

Maqedoni, me diplomë, por jo gati për tregun e punës

Tregu i punës në Maqedoni tregon hendek të madh midis kërkesës dhe ofertës së fuqisë punëtore që me kalimin e viteve, shumë ngadalë po kapërcehet. Kompanitë në shtet për çdo vit theksojnë se kanë problem të gjejnë kuadër adekuat profesional, duke marrë parasysh se sistemi arsimor nuk prodhon kuadro që i nevojiten nevojave të tregut të punës, shkruan gazeta KOHA.

Përkundër numrit të madh të të papunëve, ato nuk i posedojnë shkathtësitë dhe dituritë e nevojshme që ju duhen bizneseve. Edhe anketat e ndryshme të sektorit të biznesit tregojnë se kemi mungesë të mjeshtërve, punëtorëve ndërtimor, apo thënë me fjalë të tjera – mungojnë zanatlinjtë e nevojshëm që do të angazhohen në veprimtaritë e ndryshme industriale, apo edhe në punëtoritë më të vogla.

Vlerësohet se në Maqedoni nevojitet t’i kushtohet rëndësi më të madhe krijimit të kuadrit profesional si me arsim sipëror, apo shkollim profesional të mesëm që do t’i përgjigjet nevojave të punëdhënësve dhe do të mund më lehtë të punësohet nesër pas përfundimit të shkollimit.

Njohësit e tregut të punës theksojnë se nevojitet një angazhim më i madh i kompetentëve në drejtim të orientimit profesional të nxënësve që nga shkolla fillore, pasi nuk është patjetër që të gjithë të përfundojnë fakultet, apo shumica e semimaturantëve të regjistrohen në gjimnaz, gjegjësisht të rinjtë duhet të orientohen në ato degë për të çilat kanë talent që nesër shumë më lehtë mund të punësohen dhe të ekzistojnë prej punës së tyre.

Në tregun bashkëkohor të punës tanimë nuk mjafton vetëm diploma për të gjetur një vend të punës. Krahas dokumentit për arsimin e lartë të kryer, kërkohet edhe posedimi i sa më shumë shkathtësive konkrete profesionale. /Telegrafi/

Exit mobile version