Site icon Telegrafi

Maqedoni, dëmi nga vjedhjet dhe sulmet ndaj trenave në vitin 2017 arrin në 17 milionë denarë

Trenat në Maqedoni shpesh janë shënjestër e disa personave, të cilët gjuajnë me gurë në drejtim të tyre. Sipas drejtorit për punë juridike në Hekurudhat e Maqedonisë, sulmet më të shpeshta janë ato me gurë. “Problemet më të shpeshta që i hasim në hekurudhë janë gjuajtjet me gurë. Sulmuesit më të shpeshtë janë fëmijët, por ka edhe të rritur. Ka edhe nga ata që i kullosin bagëtitë përreth hekurudhës, dhe kur treni kalon, nuk e di për ç’arsye, gjuajnë me gurë. Dhe kështu dëmtohen trenat dhe lokomotivat tona”, tha Kosta Çikov.

Sulmet më të shpeshta ndodhin në Çerkez të Kumanovës, në dy zona të linjës drejt Kërçovës, në Shkup-veri dhe në afërsi të Radushës në Shkup, tregon Çikov. Përveç gjuajtjeve me gurë ndaj trenave, sipas tij, shumë shpesh, njerëz të panjohur, vendosin objekte të rënda në binarë, gjë që shkakton dëmtim të trenave.

“Vetëm në vitin 2017, Hekurudha e Maqedonisë është dëmtuar me mbi 17 milion denarë nga vjedhjet dhe gjuajtjet me gurë ndaj trenave”. Në 11 muajt e vitit të kaluar, janë regjistruar 10 sulme me gurë ndaj trenave në vend. Dëmet materiale e kalojnë shumën prej 600 mijë denarëve. Riparimi i disa prej tyre arrin deri në 1000 euro.

Përveç kësaj, Hekurudhat e Maqedonisë përballën edhe me vjedhje të shumta. “Në stacionin në Trubarevë, ku janë të stacionuar trenat e mallrave, kemi dëme të mëdha që vijnë nga vjedhjet e pjesëve të vagonëve, pa të cilat, si për shembull fraksionin, rregullatorin e ajrit, treni nuk mund të funksionojë”, tha Çikov.

Sipas të dhënave të nxjerra nga “Hekurudhat e Maqedonisë – Transport”, në vitin 2017 janë bërë 21 vjedhje të pjesëve të ndryshme të trenave, vlera e të cilave arrin pothuajse në 17 milion denarë. Ndërkaq, sulmi i fundit i paraqitur në Ministrinë e Punëve të Brendshme ka ndodhur më datë 3 janar, në afërsi të stacionit hekurudhor Shkup-veri, ku sipas MPB-së, persona të panjohur kanë gjuajtur me gurë drejt trenit që udhëtonte në relacionin Bllacë-Trubarevë, raporton TV21.

Exit mobile version