Avokati i popullit me nismë vetanake ka hapur lëndë mbi arrestimin e kameramanit që bënte xhirime gjatë ditës së djeshme në lidhje me procesin gjyqësor dhe aktvendimin për rastin “Lagja e Trimave”, para hapësirave të Gjykatës në Shkup, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Zv.avokatja e popullit, Vaska Bajramova ka dënuar ashpër sjelljen e gjykatës dhe policisë ndaj një punëtori mediatik duke thënë se kjo është ndalesë e kryerjes së punës dhe ndalim të informimit të publikut. Ajo ka thënë se lëndën do e çojnë deri në fund, deri në zbardhjen e plotë të tij dhe deri në konstatimin e përgjegjësisë për ngjarjen e djeshme.
“Veçanërisht shqetëson fakti apo informatat se, përkundër posedimit të lejes për ushtrimin normal të punës, persona të caktuar mbahen në polici, ndërsa nuk dihet arsyeja si dhe kush ka urdhëruar mbajtjen dhe arrestimin e tyre”, tha Vaska Bajramova, zv.avokate e popullit
Kameramani i Tv 21, Ibrahim Mahmuti nga policia është mbajtur më shumë se gjashtë orë në stacionin e Kisella Vodës por në fund ishte lëshuar pasiqë nuk janë vërtetuar akuzat se ka xhiruar gjykatësit.
Kameramani ka pasur leje për xhirim të inserteve të fillimit të seancës e dhënë nga gjykata por policia ka vendosur që të arrestojë dhe mbajë atë në stacion.
Nga Komiteti i Helsinkit bëjnë të ditur se analiza e tyre e arrestimit thekson se është shkelur neni 3 i Ligjit për media./Telegrafi/