Për shkak të shkrirjes së borës nëpër malet e Maqedonisë dhe të reshurat e shtuara të shiut, institucionet e Maqedonisë kanë aktivizuar masat për mbrojtje nga vërshimet në vend.
Qendra për menaxhim me Krizat, Ushtria e Maqedonisë, Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria për Ujërat në Maqedoni, Ministria për Transport dhe Lidhje, Drejtoria për shpëtim dhe Bashkësia e Njësive të Vetqeverisjes Lokale kanë bashkuar forcat e tyre për të krijuar shtabin e emergjencës që do të jetë në gatishmëri për të vepruar në disa lokalitete të ndryshme të vendit ku mund të jetë e nevojshme ndihma për qytetarët gjatë vërshimeve, shkruan Telegrafi Maqedoni.
Nga ana tjetër Qendra për Menaxhim me Krizat (QMK) bën apel që të sigurohet jeta e qytetarëve duke ikur nga vendet që mund të vërshohen apo edhe të lajmërojnë çdo situatë eventuale.
Agjensia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) kishte apeluar që qytetarët të kenë kujdes për materialet ushqimore dhe për mirëmbajtjen e vendeve ku i ruajnë kafshët që mos vijë deri tek ndonjë helmim i ushqimit dhe ujit që e konsumojnë qytetarët.
Përndryshe, rajonet e rrezikuara nga vërshimet janë: Rajoni i Pollogut, Pellagonisë dhe rajoni i Shkupit. /Telegrafi/