Telegrafi

Maqedonci uron 111 vjetorin e ushtrisë shqiptare: Bashkë jemi më të fuqishëm dhe bëhemi të pathyeshëm

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka uruar 111 vjetorin e ushtrisë shqiptare.

Ministri thotë se 4 dhjetori i vitit 1912 është data e themelimit të ushtrisë së Shqipërisë, transmeton Telegrafi.

“Shtatë ditë pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor, Kuvendi Kombëtar në Vlorë themeloi Ministrinë e Luftës me ministër Mehmet Dërrallën. Fillimisht për këtë detyrë u propozua Isa Boletini, i cili ndonëse e refuzoi atë, i vuri në dispozicion trupat e tij, rreth 300 vullnetarë nga Kosova, që u bënë bërthamë mbi të cilën u themelua ushtria shqiptare. Isa Boletini vazhdoi t’i shërbente ngritjes së ushtrisë shqiptare edhe gjatë misionit holandez në kohën e Princit Wilhelm Wied, kur Mbretëresha e Holandës Wilhelmina, dërgoi dhjetëra oficerë holandezë për të ndihmuar në ngritjen e ushtrisë shqiptare”, thekson ministri.

Maqedonci mes tjerash deklaron se një kapitull shumë i lavdishëm i forcave ushtarake të shtetit shqiptar, është përfshirja e ushtarakëve të saj në luftën e Kosovës më 1999, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo duke ndihmuar me trajnime dhe armë.

“Më 2008, Forcat e Armatosura të Shqipërisë u anëtarësuan në NATO duke e rreshtuar Shqipërinë në mesin e vendeve aleate të Perëndimit. Sot, Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë partnerja më e natyrshme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, meqë të dyja këto forca ushtarake, mbrojnë hapësirën e jetesës dhe sigurinë në regjion”, ka theksuar ai.

Ministri ka uruar edhe ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi dhe gjithë pjesëtaret e forcave të Armatosura të Shqipërisë.

“Bashkë jemi më të fuqishëm dhe bëhemi të pathyeshëm”. /Telegrafi/