Site icon Telegrafi

Maqedonci: Sulme si në Banjskë mund të përsëriten, Serbia ka 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Kosovën

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit mund të përsëritet derisa “Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste ndaj fqinjëve të saj”.

Ai këtë deklaratë e ka bërë të enjten në konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2023”, organizuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ministri tutje është shprehur se Serbia ka 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Kosovën.

“Rëndësia e jonë në operacione është dëshmuar në pjesën veriore të vendit, ku grupet serbe kanë tentuar të marrin territor dhe të destabilizojnë vendin tonë. Duke iu falënderuar Policisë së Kosovës dhe bashkëpunimit me partnerët tanë, ky sulm flagrant nuk pati sukses”.

“Sidoqoftë, ne jemi të vetëdijshëm se kërcënimi ende vazhdon përderisa Serbia ka 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Kosovën dhe përderisa Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste ndaj fqinjëve të saj. Më lejoni të theksoj se Kosova nuk do të jetë kërcënim për askënd, por ne jemi të përgatitur të jemi miq të të gjithëve”, ka deklaruar Maqedonci.

Ai tutje ka thënë se Kosova viteve të fundit ka bërë arritje të mëdha sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes.

“Brenda dy viteve, buxheti për FSK është rritur për 110 për qind. Gjatë këtyre dy viteve të fundit kemi investuar në sistemin e armatimit dhe kemi marrë pjesë në ushtrime ushtarake. Për më tepër, FSK-ja ka zbarkuar në lindjen e mesme për operacione trajnime dhe për paqe. Ne gjithashtu jemi krenar me qendrën e trajnimit që ofron trajnime të operatorëve vendorë dhe ndërkombëtarë”. /Telegrafi/

Exit mobile version