Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se Republika e Kosovës pret reagim më të qartë dhe më të ashpër të komunitetit ndërkombëtar kundrejt veprimeve të grupeve terroriste, të mbështetura nga strukturat shtetërore të Serbisë.
Ai po ashtu ka theksuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë për ruajtjen e sovranitetit dhe mbrojtjes së integritetit territorial të vendit, gjithnjë duke u koordinuar me partnerët ndërkombëtar.
Këto deklarata ai i ka bërë teksa ka marrë pjesë në takimin e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të SHBA-Kartës së Adriatikut (A5), zhvilluar të enjten në Shkup të Maqedonisë së Veriut, si kryesues aktual i Kartës.
“Në takim u diskutua për situatën aktuale të sigurisë në suaza globale, si dhe sfidat e reja dhe implikimet e sigurisë të vendeve të rajonit tonë dhe më gjerë. Ministri Maqedonci në adresimin e tij theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të bashkëpunimit rajonal me qëllim përballjen me sfidat e reja sigurisë, që vijnë si rezultat i qasjes keqdashëse të akterëve rajonal e global”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Në fund, Maqedonci ka kërkuar edhe mbështetjen e vendeve anëtare për anëtarësim e plotë të Republikës së Kosovës në SHBA-Kartën e Adriatikut (A5), si nismë regjionale për të hapur mundësitë për iniciativa tjera regjionale dhe rrugën tonë Euro-Atlantike.
“Në takim morën pjesë ministrat e mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës, zëvendës sekretarja e mbrojtjes së SHBA, si dhe përfaqësues nga ministritë e mbrojtjes së Kroacisë, Sllovenisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë”.
“Në margjinat e kësaj ngjarje, ministri Maqedonci realizoi takime bilaterale me Zëvendës Sekretaren e Mbrojtjes së SHBA, Celeste A. Ëallander, ministren e Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut, Slavjanka Petrovska, ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, ministrin e Mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapoviq”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/