Zhvillimi i industrisë së mbrojtjes është një nga parakushtet për plotësimin e infrastrukturës së mbrojtjes së Kosovës në kohën e përballjes së sfidave rajonale dhe globale të sigurisë dhe në këtë aspekt fuqizimi i partneritetit me sektorin privat është i rëndësishëm për avancimin e sigurisë kombëtare.
Kjo u konkludua në një bashkëbisedim të organizuar sot nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në të cilin u diskutua rreth sigurisë në vend e rajon, dhe nevojës për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në vend me qëllim përballimin e sfidave të ardhshme të sigurisë.
Ministri Maqedonci e vlerësoi bashkëpunimin me sektorin privat si një nga elementet e rëndësishme për zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes së vendit dhe një partner potencial për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes së vendit tonë.
Ai tha se SHBA janë aleati kryesor dhe akteri kryesor në rrugëtimin e deritanishëm të Kosovës, veçanërisht në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë.
Duke folur për investimet potenciale në zhvillimin e industrisë lokale të mbrojtjes, ministri Maqedonci theksoi kompletimin e legjislacionit që do të largonte disa nga barrierat në këtë aspekt.
Ai theksoi se Ministria e Mbrojtjes është në koordinim të vazhdueshëm me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, respektivisht me Zyrën e Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes, përkitazi me furnizimet me pajisje ushtarake. /Telegrafi/