Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, bashkë me komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, janë pritur në takim nga Ndihmës Sekretari i Shtetit, Alexander Kasanof, në Departamentin e Shtetit.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se gjatë takimit është ritheksuar vazhdimi i mbështetjes së diplomacisë amerikane në aspiratën e Kosovës për integrim në strukturat euro-atlantike.
Në këtë kontekst u diskutua edhe për bashkëzbarkimet e planifikuara të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione ndërkombëtare me trupat amerikane, që përveç aspektit të rritjes së ndërveprueshmërisë në aspektin ushtarak, do të ketë ndikim pozitiv edhe në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit tonë, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Maqedonci e Jashari gjatë ditës janë pritur në takim edhe nga Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes për NATO dhe Evropë, Alton Buland, në Departamentin e Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara.
“Me z. Buland diskutuam veçanërisht për objektivat e arritura në kuadrin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit të FSK-së, për rrugën që na pret përpara gjatë fazës së tretë dhe finale të këtij plani dhe për realizimin e marrëveshjes kornizë ndërmjet vendeve tona në fushën e mbrojtjes”, ka shkruar ministri Maqedonci në Facebook. /Telegrafi/