Telegrafi

MAPL “rrëzon” kërkesën për pezullimin e vendimeve lidhur me ndërmarrjet publike!?

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e ka rrëzuar kërkesën e Kuvendit Komunal për pezullimin e vendimeve lidhur me ndërmarrjet publike. Njoftimin e ka dhënë Komuna e Prishtinës nëpërmjet zyrës për informim. Këtë kumtesë mund ta lexoni të plotë më poshtë:

“Komuna e Prishtinës njofton se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) e ka konfirmuar pjesërisht ligjshmërinë e vendimit të mbledhjes së jashtëzakonshme të muajit janar në të cilën është diskutuar për raportimin e ndërmarrjeve publike, siç ka kërkuar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe siç janë dakorduar edhe asambleistët e Kuvendit Komunal. Sipas përgjigjes së MAPL, raportimi ka qenë i rregullt, ndërsa pjesa e dytë, kërkesa në momentet e fundit nga ana e kryesuesit të Kuvendit Komunal për pezullimin e vendimeve lidhur me ndërmarrjet publike, është rrëzuar nga ana e Ministrisë pasi që, sipas tyre, një gjë e tillë nuk është e ligjshme dhe si rrjedhojë nuk ka asnjë lloj të efektit juridik.

Tani, pasi që është konfirmuar raportimi, kryetari i Komunës së Prishtinës i bënë ftesë kryesuesit të Kuvendit Komunal që të diskutojë me aksionarët që janë të emëruar nga Kuvendi Komunal dhe të raportojnë para Kuvendit Komunal të Prishtinës, ashtu siç ka qenë kërkesë e këtij Kuvendi.

Risjellim në vëmendje se pas mbajtjes së mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal në muajin janar, përmes një konference për media, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti pati deklaruar se kryesuesi i Kuvendit Komunal, Halim Halimi, është munduar që jashtëligjshëm ta kontrabandojë termin pezullim i cili nuk ekziston ligjërisht dhe as si mundësi për të ndalur veprimin e ndërmarrjeve publike.

“Është krijuar një tension i pashpjegueshëm gjatë ditëve të fundit për të ardhur sot në mbledhje. Sot në mbledhje të jashtëzakonshme, pavarësisht se nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme, kërkuan që të raportojnë aksionarët për punën e ndërmarrjeve komunale. Ligji për ndërmarrjet publike e specifikon, neni 8, paragrafi 2, që komitetet e aksionarëve raportojnë në baza vjetore. Në mbledhjen e fundit, Kuvendi Komunal, ka vendosur që ky raportim të bëhet në muajin mars të vitit 2015, por në të njëjtën kohë nuk e pamë të arsyeshme që të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme për ta bërë një kërkesë për të raportuar sepse këtë kanë mundur ta bëjnë edhe më një kërkesë të thjeshtë. Në mbledhje, pasi që u thanë shumë gjëra, ne në fund u dakorduam që në mbledhjen e parë të raportohet mbi veprimet e fundit që i kanë ndërmarrë komitetet e aksionarëve dhe pastaj të diskutohet. Në minutën e fundit, kryesuesi i kuvendit, Halim Halimi, tha të votojmë për raportim dhe pezullim të vendimeve, tash e tutje deri në mbledhjen e ardhshme, pikë e cila nuk u diskutua fare dhe aty u shkaktua një rrëmujë sepse dolën nga salla të gjithë ata që kishin kundërshtime ose nuk donin të votonin dhe përveç faktit se në mbledhje të jashtëzakonshme nuk guxon të ndryshohet rendi i ditës, nuk guxon të propozohet diçka si mocion që nuk ka qenë që në fillim të mbledhjes së jashtëzakonshme, natyrisht se ky veprim përpos që nuk kishte kuorum, njëkohësisht është edhe veprim i jashtëligjshëm”, pati deklaruar asokohe kryetari Ahmeti”.

Në anën tjetër, Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës, përmes një kumtese ka reaguar ndaj komunikatës komunikata e Komunës së Prishtinës dhe komentit të kryetarit Shpend Ahmeti për vendimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Kumtesa e tyre është kjo:

“Kryetari i Prishtinës po përpiqet “t’u hedhë hi syve” qytetarëve, atyre që e votuan e që s’e votuan. Ashtu siç u përpoq që, duke shkel ligje, të sjellë militantë nga qendra të tjera për udhëheqës të Ndërmarrjeve Publike, kështu po përpiqet t’i mashtroj sot qytetarët me vendime të rregullta të shtetit, kinse janë në favorin e tij.

Shpendit i ka humb udha në oborr! Humbjet po përpiqet t’i shoh si fitore dhe me mashtrim publik ta “rehabilitojë” veten dhe militantët e tij.

Opinioni e di tanimë se vendimi i Kuvendit u mor me shumicë parlamentare në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës të 14 janarit 2015. Ky vendim ngërtheu dy pika:

1. Kërkesën që komisionet e Aksionarëve, në afat prej 7 ditësh të sjellin në Komunë për procedim raportet që kishin të bënin me veprimet e tyre ndaj Ndërmarrjeve Publike dhe

2. Iu sugjerohet që deri në një vendim tjetër të mos marrin veprime të tjera ndaj Ndërmarrjeve Publike Lokale.

Ndërkaq, gjatë procedimit të kësaj pike, në kohën e përgatitjes për votim, ishte kryetari Shpend Ahmeti penguesi më i madh i zhvillimit demokratik të asaj mbledhjeje.

Kjo është e vërteta e vendimit të Kuvendit të Komunës në mbledhjen e jashtëzakonshme të janarit 2015.

Me kërkesë të Komunës dhe sipas ligjit vendimeve të Kuvendit u shqyrtohet ligjshmëria. Këtë shqyrtim të ligjshmërisë do ta ketë bërë dhe e bën gjithherë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Këtë shqyrtim e ka bërë edhe për vendimin e Mbledhjes së jashtëzakonshme, duke kontestuar pjesën e dytë që ka të bëjë me sugjerimin për mosmarrje të veprimeve të aksionarëve deri në një vendim tjetër të Kuvendit.

Ky kontestim i nxjerrë na Ministria ka ndodhur për shkak të rrëmujës që kanë shkaktuar kryetari Shpend Ahmeti dhe asambleistët e VV në momentin e votimit të vendimit në mbledhjen në fjalë.

Ka ndodhur e kundërta e asaj që thuhet në komunikatë të Komunës dhe nga Shpend Ahmeti.

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Prishtinës ka në konsideratë vendimin e Ministrisë, i cili nuk konteston asgjë që ka të bëjë me ligjshmërinë e mbledhjes së Kuvendit dhe vendimi i rregullt i Kuvendit në mbledhjen e jashtëzakonshme ka hapur rrugë që në mënyrë demokratike të merret vendimi tjetër për shkarkimin e aksionarëve dhe emërimin e të rinjve në mbledhjen e radhës.

Grupi i LDK-së është i bindur se vetëm me vendime të nxjerra në mënyrë demokratike mund të ketë zhvillim të kryeqytetit. Jo me veprime klandestine dhe të papjekura të Shpend Ahmetit”.