Telegrafi

Manxhuka-Kerliu për rastin e ngacmimit seksual të profesorit Xhevat Krasniqi: Unë e informova Rektorin dhe Dekanin e Fakultetit të Edukimit

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kerliu, ka thënë se pas pranimit nga ana e studenteve të ankesave lidhur me ngacmimet seksuale nga ana e profesorit Xhevat Krasniqi, ajo ka informuar Rektorin dhe Dekanin e Fakultetit të Edukimit.

Suzana Manxhuka-Kerliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë ka thënë se fillimisht denoncimin për ngacmim seksual të profesorit Xhevat Krasniqi e ka pranuar gojarisht nga 3-4 studente.

Ajo ka treguar se pastaj denoncimi është bërë edhe nga studentë të tjerë me shkrim lidhur me profesorin Xhevat Krasniqi.

Manxhuka-Kerliu tha se përcjelljes së shkresës-fletëparaqitjes  ndaj profesorit Xhevat Krasniqi, hapi i parë nga ajo ka qenë informimi i Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe pastaj kërkova nga Fakulteti i Shkencave Natyrore-Matematikor të gjejë zëvendësimin e tij, pasi që ishte më lehtë të largohet një profesor i angazhuar.

Manxhuka-Kerliu në TV Dukagjini tha se Këshilli Studentor i Fakultetit të Mjekësisë i kishte dërguar e-mail me të cilin e informonte me problemin që kishte ngjarë në Fakultetin e Mjekësisë, gjegjësisht në degën e Farmacisë.

“Unë menjëherë kërkova që t’i takojë edhe studentët edhe Këshillin Studentor edhe përgjegjësen e Degës së Farmacisë nga radhët e studentëve. Dhe pasi më treguan me detaje situatën, pasi që Xhevat Krasniqi ishte i angazhuar tek ne, dhe nuk ishte i rregullt. Fillimisht, e denoncuan gojarisht dhe treguan situatën. Meqenëse bazuar në rregulloren për ngacmime seksuale, unë duhet të kem me shkrim denoncimin, kërkova nga to të dëshmojnë situatën në të cilën ishin gjendur. Pastaj ishin edhe dëshmitarë të tjerë, jo vetëm ato 3-4 studente, por edhe dëshmitarë të tjerë pasi që ngjarja kishte ndodhur edhe gjatë ligjëratave, konsultimeve“, ka thënë Manxhuka-Kerliu.

Dekanja, Manxhuka-Kerliu tha se deri më tani nuk ka pasur ndonjë informacion për problemet që janë ballafaquar studentët lidhur me profesorin në fjalë.

“Deri më tani nuk kam pasur ndonjë informatë për problemet që janë ballafaquar studentët. Dhe së bashku me prodekanët që profesorin Xhevat Krasniqi të ftojmë në takim, ta njoftojmë fillimisht. Janë takuar Prodekani për Çështje Akademike, së bashku me dy prodekanë të tjerë si dhe Sekretari dhe Zyrtari për mësim. E kanë njoftuar për denoncimin e studentëve. Profesori e ka mohuar situatën. E kanë njoftuar edhe për vendimin e Dekanes, që ne nuk dëshirojmë të mos vazhdojë në degën e Farmacisë për shkak të këtyre problemeve dhe kemi dërguar fletë paraqitjen në Këshillin e Etikës. Ai është pajtuar dhe nuk ka bërë asnjë problem”, tha ajo.