Manjola Nallbani është një nga të paktat artiste shqiptare që i ka rezistuar kohës me muzikën cilësore të saj ndër vite dhe jo vetëm.
E ftuar në “E Diell” për të treguar disa detaje nga koncerti i saj recital që do të mbahet me 16 maj, ajo kujtoi me nostalgji kohën kur këndonte në festivalet e dhjetorit dhe momentet e sikletshme në skenë.
“Mbaj mend që një herë më ishte kapur ora te fundi i fustanit dhe unë që kisha më merak nderin se interpretimin, nuk ngrija dorën të interpretoja, por e mbaja fustanin si për t`i thënë: ‘Rri ti këtu se më doli këmba sepse nuk duhet të dilte me shumë seç duhet’”, ka treguar duke qeshur ajo, transmeton Top Channel.
Në morinë e shumë kujtimeve që Nallbani ka rrëfyer për karrierën e saj artistike, ajo kujtoi ndër të tjera dhe një episod teksa ka qenë duke kënduar në një recital të saj.
“Një gjë që s’më kishte ndodhur kurrë në jetë. Më këputet rripi i reçipetave dhe mua më iku fare mendja si nga kënga, po ashtu dhe nga interpretimi dhe isha gjithë siklet deri në ç`pikë do të dukesha e zhveshur. Por shyqyr më ruajti Zoti sepse ishte kapur mirë dhe nuk ndodhi asgjë”, ka shtuar Manjola.