Site icon Telegrafi

Manjati rus në listën e të kërkuarve të Putinit

Një manjat rus në mërgim është vendosur në listën e të kërkuarve nga Moska për komentet mbi luftën në Ukrainë.

Mikhail Khodorkovsky, i cili është gjithashtu një lider i opozitës, u akuzua për përhapjen e informacionit të rremë për ushtrinë ruse pasi ai bëri komente në internet për pagesat e ushtarëve rusë të vrarë në luftën në Ukrainë.

Një çështje penale u hap kundër tij në shtator të vitit të kaluar – akuza mbart një dënim deri në pesë vjet burg, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Rusisë TASS.

Khodorkovsky ka kaluar tashmë një dekadë në burg në Rusi me akuza që shihen gjerësisht si hakmarrje politike për sfidimin e sundimit të Vladimir Putinit në fillim të viteve 2000.

Por, ai u lirua nga burgu në vitin 2013 pasi u fal nga Putini, raporton skynews. Ai tani jeton në Londër dhe ka kritikuar shpesh luftën e Putinit në Ukrainë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Khodorkovsky tha se Rusia ishte një “diktaturë totalitare” dhe se ai dëshironte të “luftonte për një Rusi të udhëhequr nga ligji dhe pluralizmi politik”.

Ndryshe, ligji kundër diskreditimit të ushtrisë ruse u prezantua pas pushtimit rus të Ukrainës dhe është përdorur vazhdimisht nga gjykatat ruse për të burgosur dhe për të mbyllur gojën kritikët e Putinit. /Telegrafi/

Exit mobile version