Telegrafi

Mani: Ministri i Financave e ka penguar Ligjin për pensionet e mësimdhënësve (Video)

Nënkryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Lutfi Mani, ka theksuar se në muajin shkurt Ligjit për pensionet e mësimdhënësve që kanë punuar gjatë viteve të 90-ta ka qenë në duart e Qeverisë së Kosovës.

Mani, në një intervistë për Telegrafin, ka theksuar se shefi i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se do ta mbajë premtimin e bërë në kohën e fushatës zgjedhore, kur koalicioni PAN dhe SBAShK-u kishin nënshkruar një kontratë sipas së cilës, nëse këta të fundit do t’i fitonin zgjedhjet, do të plotësoheshin kërkesat e kësaj organizate, përfshirë edhe draftligjin  për pensionet e mësimdhënësve që kanë punuar gjatë viteve të 90-ta.

“Ne me të gjitha partitë do të bashkëpunonim, të cilat do të na premtonin se do ta mbështesin këtë ligj. Deri më tani nuk ka asgjë nga marrëveshja që e kemi pasur me PAN-in për këtë ligj”, ka shtuar Mani.

Sipas tij, fajtori kryesor që nuk po realizohen pensionet e mësimdhënësve të viteve të 90-ta, është ministri i Financave dhe dikasteri të cilin ai e drejton, duke shtuar se dje në, prononcimin për media të MF-së, është tentuar të mjegullohet situata edhe më shumë.

Ai ka thënë se kostoja e ligjit shkon në 2 milionë e 700 mijë euro, derisa numri i përfituesve pritet të jetë 23, 362 persona.

“Ne synojmë që pensioni i një mësimdhënësi të rritet me 50 ose 60 euro më tepër, që i bie të arrijë në 305 euro”, tha Mani për Telegrafin. /Telegrafi/