Italia do të luajë ndaj Portugalisë më 17 nëntor në kuadër të Ligës së Kombeve, ndërsa tri ditë më vonë do të luajë në Belgjikë ndaj SHBA-së.
Trajneri Roberto Mancini ka vendosur t’i ftojë plot 27 futbollistë për këto dy ndeshje, ku befasia e madhe është ftesa e talentit Sandro Tonali dhe Vincenzo Grifos, ndërsa ka lënë jashtë listës Mario Balotellin dhe Andrea Belottin.
“Askush nuk është i përjashtuar nga Kombëtarja, as Balotelli dhe as Belotti”, ka thënë fillimisht Mancini për mediat italiane.
“Të dy mund të japin shumë më tepër dhe unë pres nga momenti në moment, që të rikthehen në formë dhe të na shërbejnë edhe këtu në Përfaqësuese”.
“Ky diskutim i njëjtë vlen edhe për El Shaarawyn”.
“Sa i përket Zaniolos, unë e kam krijuar idenë time për të, ndërsa tashmë duhet që të luajë sa më shumë”.
“Grumbullova Tonalin, pasi është një futbollist me të ardhme dhe duhet ta shoh nga afër”.
“Sensi dhe Grifo e meritonin thirrjen, pasi kanë bërë vërtetë mirë në takimet e fundit”, përfundoi trajneri i Italisë. /Telegrafi/