Telegrafi

Manchester United po e monitoron situatën e Leaos, në janar mund të bëjnë ofertë

Rafael Leao është njëri nga sulmuesit më në formë në botë dhe portugezi po shkëlqen me Milanin.

Sulmuesi portugez ishte ndër më meritorët që Rossonerët fituan titullin e kampionit dhe ka vazhduar edhe këtë sezon me formë fantastike.

Leao në 12 ndeshje ka shënuar katër gola dhe ka asistuar në shtatë të tjerë, por e ardhmja e tij vazhdon të jetë në pikëpyetje.

Kontrata e anësorit këmbëshpejtë skadon në verën e vitit 2024, derisa aktualisht Leao fiton një pagë prej 1,4 milionë euro në sezon.

Manchester United është futur në garë për transferimin e portugezit dhe Djajtë e Kuq po monitorojnë situatën e tij.

Në rast se Leao nuk pranon rinovimin me Milanin deri në janar, atëherë United është gati të bëjë një ofertë mbi 100 milionë euro për transferimin e tij.

Në garë për anësorin këmbëshpejtë janë edhe Chelsea dhe PSG, derisa lojtari synon një pagë mbi tetë milionë euro në sezon.

Vlen të përmendet se në rast se Leao nuk rinovon me Milanin, atëherë kampionët italian synojnë të fitojnë 150 milionë euro nga shitja e tij. /Telegrafi/