Telegrafi

Manchester United nis kontaktet e para për transferimin e sulmuesit brazilian

Manchester United raportohet se ka nisur kontaktet e para me Palmeiras për transferimin e talentit brazilian Thalys, i cili ka një klauzolë lirimi prej 40 milionë eurosh.

Sezoni 2023/2024 ka qenë një për t’u harruar për Unitedin, pasi ata kanë dështuar që të korrin suksese nën urdhrat e teknikut holandez Erik Ten Hag.

Pas humbjes së fundit me rezultat 4-3 ndaj Chelseat, United momentalisht gjendet 11 pikë mbrapa vendit të katërt që mbahet nga Aston Villa.

Teksa po i afrohemi afatit kalimtar veror, është pretenduar se United ka qenë në kontakt për të nënshkruar me talentin brazilian Thalys.

Foto: Thalys

Siç u raportua nga mediat braziliane, bisedimet mes lojtarit dhe “Djajve të Kuq” kanë avancuar, teksa pritet që së shpejti të arrihet një marrëveshje edhe me klubin.

Thalys ka shënuar tre gola në pesë ndeshje të luajtura për grupmoshat U20 të Palmeirasit këtë sezon, ndërsa po konsiderohet si e ardhmja e futbollit brazilian.

Sipas gazetarit Jorge Nicola, i cili ka shpjeguar se United ka kryer një sondazh dhe do të duhet pak kohë para se klubi të bëjë një ofertë zyrtare./Telegrafi/